Shtëpia më e shtrenjtë në botë mund të rrëzohet

Njeriu më i pasur në Indi, Mukesh Ambani, rrezikon të humbë shtëpinë e tij prej 27 katesh, për të cilën besohet se është më e shtrenjta në botë, pasi që toka në të cilën është ndërtuar, siç thuhet, është blerë në rrugë joligjore.
Ministrat, në fakt, thonë se toka ku është ndërtuar kjo ndërtesë luksoze, ka vlerën prej 650 milionë euro, ka qenë e rezervuar për edukimin e fëmijëve myslimanë dhe se Ambani tash duhet të përballet me hetimet federale. Ai me këtë rast rrezikon që të përballet me burgim dhe madje edhe shembje të ndërtesës.
Toka për të cilën bëhet fjalë, para nëntë vjetësh për 3 milionë euro ishte shitur nga Trusti për përkujdesje ndaj jetimëve, ndërsa shitja ishte lejuar nga komisari për çështje humanitare i Mumbait.
Ministri për çështje pakicash, Mohamed Arif Nesem Kan, thotë se shitja megjithatë nuk është lejuar nga komiteti i shtetit federal Maharashta, i cili tash ka nisur aksionin për kthimin e tokës.
Mukesh Ambani, i cili ndodhet në krye të kompanisë “Reliance Industries” dhe është njeriu i nëntë mi pasur në botë sipas “Forbs”, me gjithsej pasuri që vlerësohet në rreth 18 miliardë euro, vitin e kaluar në këtë kullë të lartë 157 metra zhvendosi gruan dhe fëmijët.
Konteste të tilla pronësore në Indi nuk janë të rralla, sidomos në qytetet e mëdha, siç është Mumbai, në të cilat mbretëron mungesë e madhe e tokës.
Lideri i opozitës në Parlament thotë se toka e kontestuar vlen pesë miliardë rupi, derisa vetë Ambani konsideron se kontesti është ndërmjet jetimores dhe udhëheqjes shtetërore, derisa kompania e tij nuk ka të bëjë asgjë lidhur me këtë çështje.