E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi të ndalë dhunën

Shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker i bëri thirrje dje

Shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker i bëri thirrje dje Beogradit të ndalë sulmet në veri të Kosovës. deklarata e tij erdhi pas situatës së tensionuar në qytetin e Mitrovicës ku qindra serbë sulmuan Gjykatën e Qarkut të UNMIK-ut. Mbi 300 protestues serbë mësynë në ndërtesë pasi kapërcyen rojet e UNMIK-ut në ndërtesë. Ata hoqën flamurin e OKB-së nga ndërtesa dhe vendosën atë të Serbisë. Protestuesit, të cilët thonë se janë ish-punonjës të gjykatës, të larguar nga puna në vitin 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, kanë protestuar që në 21 shkurt duke kërkuar të rikthehen në vendet e punës. Sipas mediave kosovare Shërbimi Policor i Kosovës dhe policia e UNMIK-ut nuk përdori forcë për të parandaluar protestuesit të hynin në Gjykatë. Ryker tha se pati një bisedë telefonike me përfaqësuesit e autoriteteve serbe, të cilat i informoi se administrata ndërkombëtare nuk do të tolerojë “mos respektimin e ligjit dhe rregullit”. Madje kryeadministratori paralajmëroi se ata që do ti drejtohen dhunës në Mitrovicë do të kapërcejnë “vijën e kuqe të UNMIK-ut. Ai i kërkoi autoriteteve serbe të parandalojnë ndonjë incident të dhunshëm. “Besoj se secili prej autorëve të sulmit të sotëm do të përballet me drejtësinë. Edhe një herë i bëj thirrje të gjitha komuniteteve të ndalin sulmet dhe të na ndihmojnë të sigurojmë një mjedis të sigurt. UNMIK do të mbrojë mandatin e tij në të gjithë territorin e Kosovës”-tha diplomati gjerman. Sulmi i djeshëm, në Gjykatën e UNMIK-ut në Mitrovicë, u dënua nga presidenca e Bashkimit Europian dhe zyra amerikane në Prishtinë. “Askush nuk përfiton nga përdorimi i dhunës dhe nga sulmet kundër institucioneve të ligjshme në Kosovë”-thuhej në një deklaratë të Sllovenisë, vendit që mban presidencën e rradhës së BE-së. Në deklaratë theksohej se siguria e popullsisë civile duhet të mbetet e parekur. Nëpërmjet saj, Sllovenia i bën thirrje Serbisë të respektojë angazhimet e saj për tu frenuar nga aktivitet apo deklaratë që mund të rrezikojë situatën e sigurisë në Kosovë. Më tej Presidenca e BE-së insiton në respektimin e plotë të mandatit të Kombeve të Bashkuara në territorin kosovar bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›