E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati 102 objekte për privatizim

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka përgatitur urdhrat për privatizimin e 102 objekteve shtetërore, mbi kërkesat e ish -pronarëve, në trojet e të cilëve ka objekte shtetërore jo strategjike. Burime zyrtare të METE-s, bëjnë të ditur se gjatë vitit 2007, u paraqitën 227 kërkesa nga ish -pronarët mbi trojet e të cilëve, ndodhen objekte shtetërore ende të paprivatizuara. Prej tyre, përveç 102 urdhrave të dala nga ministri i METE-s, janë gati për privatizim 70 objekte shtetërore, që do të kryhen nga agjencia e privatizimit në Ministrinë e Financave. I gjithë procesi ka kaluar edhe përmes dorëzimit nga ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të listës së pronave publike, të dhëna me qira, apo që janë në proces privatizimi në Agjencinë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për verifikim sipas ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish pronarëve". Për t'ju ardhur sa më mirë në ndihmë ish-pronarëve, privatizimi po bëhet për çdo objekt, apo dhe pjesë të veçanta të tyre, ku ka pronarë të vjetër të trojeve. Njëkohësisht, kjo ministri, ka përfunduar edhe procesin e rivlerësimit të aseteve për të gjitha shoqëritë aksionere, ku shteti zotëron mbi 51% të aksioneve, me qëllim,  që  ish- pronarët të përfitojnë aksionet që u korrespondojnë vlerës së trojeve mbi të cilat janë ndërtuar objektet e sh.a-ve apo të sh.p.k-ve dhe që u janë njohur si pronë nga AKKP. Burime zyrtare të METE-s, thonë se në privatizim do të kalojnë të gjitha asetet shtetërore, për të cilat ka pronarë të trojeve, të njohur me vendime të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilët gëzojnë të drejtën e parablerjes, në përputhje me Ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronave". Në privatizimin e objekteve, ka nisur puna rast pas rasti për përcaktimin e pronësisë së truallit dhe çmimit të shitjes së tij, në  përputhje me aktet ligjore, duke synuar sigurimin e të drejtës së parablerjes për ish-pronarët. Në paketën e re ligjore, është përcaktuar që si çmim mesatar i shitjes së trojeve, do të merret çmimi i përcaktuar në Hartën e Çmimeve në zonën përkatëse të hartuar nga  Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila ka përfunduar këtë proces për të gjithë territorin e vendit.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›