E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqaj: Humbja me Hungarinë ishte një fatkeqësi

Portieri kuqezi nuk i shmanget përgjegjësisë për golin e dytë. "Sigurisht, mund të reagoja më mirë"

"Kurrsesi nuk duhet të humbisnim përballë asaj Hungarie". Ky është mendimi i portierit Arjan Beqaj, i cili nuk i shmanget përgjegjësisë për golin e dytë, ku topi iu fut mes këmbëve. Në këtë intervistë, portieri kuqezi tregon për humbjen me Hungarinë, lojën që zhvilloi ekipi, ndeshjen me Portugalinë, veten dhe për të ardhmen. "Kemi treguar se luajmë me dinjitet ndaj kundërshtarëve me emër. Duhet të luftojmë për më të mirën,"tha 33 vjeçari për përballjen me luzitanët. Për më tej, ja si u shpreh:

Arjan, ndiheni fajtor për golin e dytë?

Gjithmonë e kam thënë, që nuk jam nga ata futbollistë që iu shmangem përgjegjësive. Sigurisht, për rastin e golit të dytë mund të reagoja më mirë. Personalisht, edhe në fitore, edhe në humbje, asnjëherë nuk i shoh gjërat në mënyrë individuale.

Sipas jush, ku çaloi loja e kombëtares ndaj Hungarisë?

Mendimi im është se pjesa e parë ishte mjaft e mirë. Kontrolluam ritmin e lojës, mbyllëm mirë zonat dhe kundërshtari nuk na rrezikoi. Pas pësimit të golit të parë në fillimin e pjesës së dytë, gjërat ndryshuan krejtësisht. Kjo edhe për sa i përket psikologjisë dhe organizmit. Ne ishim të detyruar që të sulmonim. Ishte një moment shumë i keq kur pësuam.

Kjo mos ndoshta është çështje mentaliteti, ku Shqipëria humbet organizimin pas pësimit të golit?

Po ta shikosh pjesën e parë, asnjë gjë në lojë nuk tregonte se ndeshjen mund ta humbnim. Ashtu siç e pashë, në rast se nuk do të kishim pësuar aq shpejt, do të ishim më afër fitores. Ishte një ndeshje që mund të kishte përfunduar barazimi. Hungarezët mund të hapnim më tepër zona dhe si rrjedhojë mund të përfitonim.

Çfarë ju ka thënë zëvendësi juaj te Anorthosis, portieri hungarez, Zoltan Nagi?

Më ka thënë që Hungaria ka disa lojtarë, të cilët kanë kualitet dhe këtë nuk mund ta vësh në dyshim. Po e vërteta është që Hungaria nuk është superekip. Ka lojtarë që luajnë në klube të mira. Ishin momentet ato që përcaktuan fatin e ndeshjes dhe mendoj se kjo ndeshje në asnjë mënyrë nuk duhet të humbej. Rrjedha e saj e tregoi këtë deri në momentin e golit.

Si të duket reparti i mbrojtjes, ndiheni i sigurt me ata që keni para?

Eshtë e njëjta mbrojtje që luajti edhe në ndeshjet e kaluara, ku i nxorrëm me sukses. Këta lojtarë kanë treguar se janë në gjendje të përballojnë kundërshtarë të niveleve të larta. Mendoj se mbrojtja nuk ka bërë një lojë të keqe. Nuk mund të themi që kemi pasur probleme në këtë repart.

Në të parën ndeshje jashtë fushe, kishte shumë optimizëm. Ju shkonte ndërmend një humbje me Hungarinë?

Nuk e prisnim kurrsesi humbjen. Ekipi ishte në një momet të mirë nga ana psikologjike dhe e pikëve. Mendoj se kjo u tregua edhe në fillimin e lojës, ku ne u futëm me besim. Ishte një optimizëm real dhe nuk na shkonte mendja te humbja.

Duket se me Portugalinë shkojmë të dorëzuar?

Çdo ndeshje në futboll ndryshon dhe ka veçantitë e saj. Nuk mund të thuash se humbën në Hungari dhe të vemi të dorëzuar në Portugali. Eshtë një ekip që ka lojtarë shumë të mirë dhe është në një moment, ku i duhen patjetër pikët. Megjithatë, ne nga ana jonë duhet të luftojmë për më të mirën.

Ka forca ky ekip për të bërë ndonjë surprizë me një ekip si Portugalia?

Kombëtarja ka treguar që është në gjendje të bëj ndeshje të mira edhe me kundërshtarë të nivelit të lartë. Megjithatë, këtë duhet ta tregojmë në fushë.

Kanë mbetur pak "veteranë" në kombëtare. Si i tillë, si e shikoni elementin e ri që është afruar?

Eshtë mirë për ekipin që të afrohen elementë të rinj. Janë lojtarë të cilët kanë talent, mirëpo në futboll nuk mjaftojnë këto. Të gjitha duhet t'i nxjerësh në fushë.

Si e përfytyroni Shqipërinë pas 2-3 vitesh?

Do të jetë një ekip me shumë elementë të rinj. Të gjithë çunat që janë afruar, shpresoj të jenë lojtarë, të cilët do të kenë barrën kryesore në ekip.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›