Kakà dhe Robinjo kthejnë Brazilin e madh
Futbollisti më i mirë i vitit 2007, Rikardo Kakà, e ka udhëhequr Brazilin drejt fitores 4 0 në eliminatoren ndaj Venezuelës, në ndeshjen e tij të parë me "Selesaon", pas 11 muajve mungesë. "Ylli" 26 vjeçar i Milanit shënoi golin e parë vetëm pas pesë minutash lojë dhe "ndërtoi" golin e tretë, teksa Brazili u ngjit në vendin e dytë të grupit eliminator në Amerikën e Jugut me 16 pikë, katër më pak se Paraguaji kryesues. Sulmuesi i Mançester Sitit, Robinjo, ishte gjithashtu protagonist me dy gola sublim. Venezuela shkoi në këtë ndeshje me besim, pasi e kishte mundur Brazilin 2 0 në miqësoren e luajtur në Boston, vitin e kaluar. Kjo ishte fitorja e parë pas 17 humbje radhazi ndaj rivalëve te famshëm. Gjithsesi, brenda 20 minutave çdo shpresë e trajnerit venezuelian, Sezar Farias, për të përsëritur rezulatatin befasues u zbeh keqazi. Pas vetëm 6 minutave lojë, Kakà mposhti portierin Reni Vega, me një goditje nga një kënd i pamundur, pasi topi më parë preku shtyllën. Ky ishte goli i 23 të për fantazistin e Milanit në 60 ndeshje me kombëtaren. Katër minuta më vonë, Robinjo e çoi rezultatin në 2 0, teksa kaloi nga e majta në qendër dhe e dërgoi topin në rrjetë, me një goditje nga rreth 30 metra. Pranë minutës së 20 të, Brazili shënoi golin e tretë me anë të Adrianos. Sulmuesi, që rikthehej në kombëtare pas problemeve fizike dhe disiplinore, e tundi rrjetën nga një distancë e afërt me portën. Kakà "shpërtheu" në mesfushë dhe shërbeu për Elanon, i cili krosoi nga e majta për Adrianon. Interisti u tregua i saktë, duke e shpërblyer trajnerin Dunga, që i besoi vendin e titullarit dhe la në stol Luis Fabianon. Venezuela pati shansin të shënonte në pjesën e parë, kur dolën në pah mangësitë e mbrojtjes braziliane, por Alehandro Guerra, Horge Rohas, Huan Arango dhe Xhiankarlo Maldonado i shpërdoruan rastet e tyre. Adriano u ndëshkua me karton të verdhë në fundin e pjesës së parë; kjo do të thotë se ai do të jetë i skualifikuar për ndeshjen e së mërkurës, ku Brazili do të presë Kolumbinë. Edhe në fillimin e pjesës së dytë portieri brazilian Hulio Sesar u thirr dy herë në apel nga Maldonado. Venezuela, e vetmja skuadër amerikano-latine, që nuk ka luajtur asnjëherë në botëror, kapitulloi përfundimisht në minutën e 69 të, kur Robinjo shënoi golin e dytë personal, duke kompletuar "pokerin" e Brazilit, pas shërbimit të Kleberit. Robinjo e kontrolloi topin shkëlqyeshëm dhe, pas një rrotullimi e dërgoi atë atje ku nuk mund ta kapte portieri Vega. Në ndeshjet e tjera, të luajtura për raundin e 9 të, Argjentina fitoi 2 1 ndaj Uruguajit, ndërsa Paraguaji mundi Kolumbinë dhe kryeson me katër pikë avantazh ndaj "Selesaos" dhe "çelestëve". Ndeshjet e ardhshme do të luhen në mesjavë.