E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adonis fiton çmimin Goethe

Poeti sirian Adonis është bërë shkrimtari i parë arab që fiton çmimin prestigjioz gjerman Goethe. Nga Express më 31 gusht 2011 në ora 14:51

Poeti 81 vjeçar, favorit shumëvjeçar për të fituar çmimin Nobel për letërsi, u prezantua me shpërblimin në qytetin e Frankfurtit në ditëlindjen e shkrimtarit më të njohur gjerman Goethe, më 28 gusht. Juria e quajti atë ‘poeti më i rëndësishëm arab i kohës sonë’, dhe e ka lavdëruar ‘talentin e tij të shquar letrar, kozmopolitanizmin dhe kontributin e tij në letërsinë botërore’.

Çmimi Goethe, në vlerë prej 50 mijë euro, i jepet çdo tri vjet, në ditëlindjen e Goethe-s, një individi, vepra e të cilit reflekton shpirtin e mjeshtrit gjerman dhe në të kaluarën është fituar nga Sigmund Freud dhe Herman Hesse, ndërsa më i fundit që e ka marrë këtë çmim është shkrimtari izraelit Amos Oz.
“Mu sikur Goethe që e ka popullarizuar poezinë arabe me librin e tij ‘Divani perëndimor-lindor’, Adonis ka mbartur arritjet e modernitetit europian në rrethet kulturore arabe me rezultat të madh”, tha juria.

I lindur në Siri si Ali Ahmad Said Esber, Adonis e ka adoptuar emrin e tij të penës – sipas perëndisë greke të pjellorisë – në vitet e fundit të fëmijërisë. Ai lindi në vitin 1930 në Kasabin, një fshat në veri-perëndim të Sirisë. Për të ndjekur shkollën e mesme atij iu akordua një bursë personalisht prej presidentit të atëhershëm të Sirisë. Adonis i kishte bërë përshtypje presidentit gjatë një vizite në Veri të Sirisë, teksa e dëgjoi atë duke recituar poezi. I burgosur për aktivitetet e tij politike, ai u largua për në Bejrut në vitin 1956, ku u martua me Khalida Said, e cila më vonë u bë kritikja më e rëndësishme letrare në botën arabe. Në atdheun e ri ai punoi si mësues dhe gazetar dhe hyri në kontakt me një grup aktiv artistësh, shkrimtarësh dhe emigrantësh politikë. Këtu ai u njoh me letërsinë ndërkombëtare. Suksesin e vet letrar ai e arriti me vëllimin e tretë të tij të poezive "Këngët e Mihyars des Damaszeners" në fillim të viteve 60-të.

Ai është autor i më shumë se 20 librave në arabisht dhe është i njohur për shkrimet e tij eksperimentale, duke ikur nga strukturat formale të poezisë tradicionale arabe.

Adonis ka mbetur gjithmonë një kritik në aspektin e politikës - me një vizion thuajse profetik. Në një intervistë për Deutsche Welle në vitin 2001 ai përshkruante vlerësimin e tij për zhvillimin e raporteve në botën arabe. “Nëse nuk ndryshojnë raportet në botën arabe, nëse pushtetmbajtësit tanë nuk mendojnë për popullin, nëse ata merren vetëm me ruajtjen e pushtetit të tyre, nëse ata besojnë që populli është vetëm një mjet për pushtetin dhe që pushteti nuk është mjet për popullin, atëherë ata do të përballen me katastrofa, që nuk i ka përjetuar askush”.

Adonis është një laik i shpallur dhe i bindur që vetëm sekularizimi i shoqërisë mund ta zhvillojë më tej kulturën dhe politikën arabe. Në vitin 2002 në gazetën "Die Zeit" ai theksonte: "Gjithmonë kur nuk dikton feja, kultura arabe është e madhërishme. Gjithçka që është e çliruar prej fesë në kulturën arabe është e jashtëzakonshme”.

Poezinë e tij në librat, artikujt dhe referatet e tij, ai e kupton si një projekt kulturor civilizues, që është në gjendje ta rishkruajë dhe ta përkufizojë historinë arabe.

Aktualisht Adonis jeton mes Parisit dhe Bejrutit. Lindja dhe Perëndimi, beson Adonis, takohen së bashku përmes artit dhe poezisë. Kjo është tërësisht në frymën e Goethe-s, i cili në kohën e tij e kish kuptuar se: "Ai që njeh vetveten dhe tjetrin, do ta kuptojë edhe këtu: Orienti dhe Oksidenti janë të pandashëm".

Por Adonis mendon: “Lindje ose Perëndim, këto janë dy koncepte, që dallojnë midis tyre më shumë në aspektin ideologjik se sa në atë gjeografik”.

Adonis deri më tani ka fituar disa çmime letrare, prej të cilëve mund të përmenden çmimi Bjornson në vitin 2007, çmimi i parë ndërkombëtar Nazim Hikmet për poezi dhe çmimin për poetin më të mirë siriano-libanez, ndërsa që disa vite është një prej kandidatëve kryesor për të fituar çmimin Nobel për letërsi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›