E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndeshjet e Londrës, në dyshim

Nga Express më 10 gusht 2011 në ora 14:30

Premierliga do të vendos të enjten rreth ndeshjeve të fundjavës në Londër, të cilat janë paraparë të zhvillohen, në kuadër të xhiros së parë të kampionatit anglez.

Klubet nga qytetet tjera nuk shohin arsye për një shtyrje të mundshme të takimeve të tyre, ngase trazirat e fundit e kanë përfshirë kryesisht kryeqytetin anglez.

“Premierliga dhe Football League janë të brengosura për incidentet e fundit dhe efektit të tij në komunitetet lokale. Jemi diskutuar me klubet londineze, me policinë dhe autoritetet rreth zhvillimit apo jo të ndeshjeve të fundjavës në kryeqytet”, thonë zyrtarë të Premierligës.

Policia do t’ia sqarojë situatën aktuale palëve dhe së bashku do të vendosin nëse do të shtyhen ndeshjet apo jo. Ndeshja miqësore ndërmjet Anglisë dhe Holandës, e paraparë të zhvillohej të mërkurën mbrëma, ishte anuluar.

Po ashtu, edhe disa ndeshje të Carling Cup, të parapara të zhvilloheshin në Londër, janë shtyrë. Ndërkohë, edhe takimi miqësor ndërmjet Ganës dhe Nigerisë, që planifikohej të zhvillohej në Watford, është anuluar, për shkak të trazirave të fundit të shkaktuara nga protestuesit e dhunshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›