Beqaj: Më duket si një ëndërr
Arjan Beqaj është cilësuar si lojtari i dytë më i mirë i ndeshjes në fitoren 3-1 që skuadra e tij Anorthosis Famagusta arriti kundër Panathinaikosit të mërkurën në mbrëmje në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve. Portieri i përfaqësueses shqiptare është vlerësuar me notën 7.5 dhe është cilësuar nga shtypi i huaj si një prej lojtarëve më të mirë të skuadrës qipriote Anorthosis Famagusta. "Na duket si në ëndërr. Për ne është një fitore shumë e rëndësishme. Tani do të përqendrohemi në ndeshjet e ardhshme", ka thënë Beqaj për uefa.com. Anorthosis Famagusta me fitoren 3-1 kundër Panathaniaikosit u shndërrua në ekipin e parë qipriot që arrin një fitore në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Por pas euforisë së jashtëzakonshme në Nikosia të Qipros, vjen edhe një paralajmërim i Beqajt përpara dy përballjeve rresht me Interin e Murinjos e Ibrahimoviçit, i botuar në uefa.com. "Tani ne kemi katër pikë, por na presin edhe katër ndeshje të tjera. Qëllimi ynë i parë është vendi i tretë, kështu do të vazhdonim në Kupën UEFA. Por, për këtë duhet të punojmë mirë në të ardhmen", thotë portieri, i cili kundër Interit premton se do të bëjë të pamundurën, me të cilën ndajnë edhe kryesimin e Grupit B.