Cana & Co. paguajnë nga xhepi për karburantin
JETMIR HALILAJ
Telashet nuk kanë të sosur për Lorik Canën dhe Marsejën e tij. Sikur të mos mjaftonte humbja ndaj Atletiko Madrid të mërkurën, e dyta radhazi për ekipin francez, lojtarët dhe stafi i Marsejës janë detyruar të kthehen me paratë e tyre në shtëpi pas disfatës 2-1 të pësuar nga skuadra spanjolle në Champions. Pasi kanë mbërritur në aeroport në mesnatë, Lorik Cana dhe shokët e tij jo vetëm që janë detyruar të presin për dy orë, por kanë paguar nga xhepi i tyre një shumë prej 3300 euro, për të furnizuar me karburant avionin, i cili do ta kthente skuadrën e drejtuar nga Erik Gerets në Marsejë. Shkak për këtë incident është bërë një mosmarrëveshje mes drejtuesve të kompanisë ajrore dhe shoqërisë që merret me furnizimin e avionëve me karburant.
Habia
"Nuk më ka ndodhur një turp i tillë asnjëherë gjatë gjithë karrierës time. Gjithçka ndodhi për shkak të një kapriçoje prej fëmijësh të shefit të shoqërisë që na furnizon me karburant", ka thënë komandanti i avionit, tejet i nervozuar. Ky incident është përcjellë me shumë bujë nga media sportive në Francë, duke e quajtur të turpshme faktin që lojtarët janë detyruar të paguajnë nga xhepi për t'u kthyer në qytetin e tyre.
Ngjarja
Pak para nisjes nga Madridi drejt Marsejës, komandanti i avionit është vënë në dijeni për faktin se avioni i drejtuar prej tij, i cili i përket kompanisë ajrore "Agile Azur", nuk ishte furnizuar me karburant.
Pasi ka kontaktuar me përgjegjësin e shoqërisë që furnizonte me karburant avionët, pilotit kryesor i është komunikuar se pas një debati me shefat e tij, shoqëria e karburanteve ka refuzuar të furnizojë avionin e kompanisë "Agile Azur". Jo vetëm që nuk janë aplikuar rregullat ndërkombëtare, të cilat përdoren në kësi rastesh, por shefi i shoqërisë së karburanteve ka refuzuar pagesën me kartë krediti të vënë menjëherë në dispozicion nga kompania ajrore, duke kërkuar para kesh. Të gjendur në rrethana të tilla dhe tejet të mërzitur nga pritja e gjatë, lojtarët e Marsejës, përfshi edhe Lorik Canën kanë vendosur t'i paguajnë vetë paratë e karburantit, duke vënë në dispozicion 3300 euro. "Lojtarët nuk mund të qëndronin në aeroport gjatë gjithë natës, duke pritur që të zgjidhej ky problem, ndaj edhe kanë vendosur t'i paguajnë vetë paratë e karburantit. Megjithatë, kjo është vërtetë e turpshme", ka thënë një zyrtar i klubit të Marsejës.