E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata, avokatë të rinj për "bandën e Durrësit"

 

TIRANE - Një grup avokatësh "rezervë" për "bandën e Durrësit". Është kjo masa e marrë së fundmi nga Gjykata për Krimet e Rënda për të shmangur shtyrjet e njëpasnjëshme të seancave gjyqësore në ngarkim të 17 personave të dyshuar si anëtarë të kësaj bande. Zhvillimi i seancës së djeshme ka dështuar sërish për mungesë të avokatëve. Kanë qenë 4 përfaqësues ligjorë të të pandehurve që nuk ishin prezentë në sallë, çka detyroi edhe shtyrjen e seancës. Në këto rrethana, kur prej disa javësh shkak i vetëm i shtyrjes bëhet mungesa e avokatëve, trupi gjykues vendosi ngritjen e një grupi avokatësh të tjerë, të cilët do të qëndrojnë në dispozicion të kësaj çështjeje. Sipas këtij vendimi, një grup prej 6 avokatësh të propozuar nga Dhoma e Avokatisë do të njihen me materialet e çështjes. Në këtë mënyrë, nëse në seancat pasardhëse gjyqësore do të ketë mungesa të avokatëve, mbrojtja ligjore e të pandehurve do të kryhet nga avokatët e këtij grupi. Gjithashtu për avokatët që mungonin dje, trupi gjykues bëri të ditur se do të njoftojë Dhomën e Avokatisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore ndaj tyre. Seanca e djeshme ishte e 42-ta që nga fillimi i gjykimit të kësaj çështjeje.                  ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›