Skadon afati i hetimeve për "Durrës-Kukës"
TIRANE - Afati i hetimeve për rrugën Durrës-Kukës ka përfunduar, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme nuk ka mundur të sigurojë ekspertizën kontabël për këtë çështje. Raporti i ekspertëve kontabël për të saktësuar nëse ka pasur dëm ekonomik dhe sa ka qenë ai, u konsiderua nga organi qendror i akuzës si prova kryesore në këtë çështje. Që në pranverë të këtij viti, Prokuroria e Përgjithshme thuajse nuk ka kryer asnjë veprim për këtë dosje, për shkak se ngarkoi dy ekspertë kontabël, Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, për të zhvilluar ekspertizën kontabël, me qëllim nxjerrjen e dëmit ekonomik dhe mënyrën si ishte shkaktuar ai. Afati i fundit për ekspertizën kontabël ka qenë fundi i muajit gusht 2008, por në këtë kohë ekspertët kërkuan më shumë kohë deri në 15 shtator. Në mesin e këtij muaji, ekspertët kërkuan sërish shtyrjen e afatit edhe me 15 ditë deri më 1 tetor. Megjithatë burime zyrtare konfirmuan se deri mbrëmjen e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme nuk kishte mbërritur asnjë raport i tillë, edhe pse afati i hetimeve për këtë dosje ka skaduar më 1 tetor 2008. Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha dhe mori të pandehur tre zyrtarë të institucionit të drejtuar prej tij. t.s