E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA krenare që ka mike Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që kanë Kosovën një vend mik, ka thënë sot në Prishtinë, ambasadorja e re amerikane, Tracey Jacobson. Këto komente ajo i bëri në gjuhën shqipe dhe atë serbe, pas dorëzimit të letrave kredenciale te presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kosova ka arritur përparime të jashtëzakonshme që nga shpallja e pavarësisë së saj, ka thënë me këtë rast, ambasadorja amerikane.

Jam e bindur që duke punuar së bashku në partneritet, udhëheqësit e Kosovës mund të çojnë përpara sundimin e ligjit dhe të ndërtojnë një themel të fuqishëm për një të ardhme të begatshme, stabile e demokratike, ka theksuar Jacobson.

Gjatë kohës së shkurtër në Kosovë, ajo tha se ka vërejtur shumë përparime pozitive.

Para se të vijë në Kosovë, zonja Jacobson si ambasadore ka shërbyer në Turkmenistan dhe në Taxhikistan.

Ajo është një diplomate karriere nga Shërbimi i Lartë Diplomatik dhe se së fundmi ka shërbyer si zëvendësdrejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm (FSI).

Jacobson ka shërbyer gjithashtu si zëvendëssekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ndërsa ka punuar si diplomate në Seul të Koresë Jugore, Moskë të Rusisë, e të tjera.

Ajo ka mësuar gjuhët shqipe, serbe, franceze, ruse, spanjolle, koreane, dhe taxhike.

Është e martuar me Dejvid Bau, pjesëtar i shërbimit diplomatik britanik.

Jacobson zëvendëson ambasadorin e deritashëm, Christofer Dell.(Zeri)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›