Muzikë e shkruar mbi ujë
Venecianët kishin mbi dyqind vjet që e besonin dhe e nderonin si thesarin e tyre më të çmuar. Unë e besova natën e 27 shtatorit të këtij viti, një të diel të vakët vjeshte, kur ndodhesha në Venecia, në tarracën e lulëzuar, tumbullas me të ftuar, të restorantit "Riva Rosa", që i kishte këmbët në ujë, ku servireshin receta antike venedikase, dhe që hapej përmbi kanalin e madh, "udhën më të bukur të botës", e cila lidhte detin me botën. Canalazzo, siç e quanin venecianët kanalin e madh, fekste me pllanga drite nga flakadanët e shumtë që vareshin hunjve gjigantë që mbinin nga ujërat dhe nuk ishte e vështirë të dalloje, gjer ku të hante syri, tërë atë qytetërim mbi ujë, që ngjante si një soj Atlantide faqe njerëzimit… Përtej mugullonin pallatet më të bukura dhe më prestigjioze të qytetit, nëpër të cilët lindi dhe mori udhë historia e hapur, e fshehtë, dhe e mbushur plot mister e Serenissima-s (Republika e Venedikut). Pothuaj nuk frynte erë, qirinjtë përmbi tryezat e restorantit të çmuar digjeshin flakëdrejtë, ajri ishte mbushur me aromë jodi dhe leshterikësh, ndërsa larg dëgjoheshin pllaquritjet e gondola-ve dhe zhurma e lehtë e vaporetto-ve, autobusëve-vaporë të qytetit; kamerieri porsa kishte servirur "Fragolino"-n, verën venedikase që kishte shijen e mrekullueshme të luleshtrydheve të pyllit, si aperitiv, kur një vrundull i beftë dhe dashamirës ere që erdhi nga deti, kapërceu kanalin e madh dhe fiku qirinjtë e tryezave të tarracës së "Riva Rosa"-s, solli një muzikë të mrekullueshme, të qartë e të padëgjuar kurrë për veshët e mi, e cila mbeti sekonda të tëra e varur pezull përmbi kryet tanë, sikur një orkestër e jashtëzakonshme të luante në ajër. Kamerierët ngrinë në këmbë, njerëzit përreth mbajtën frymën; ajo që po ngjiste atyre çasteve, s‘mund të ishte veç ëndërr, a thjesht magji: muzika ishte një pjesëz simfonie hyjnore, që dukej sikur ekzekutohej nga një orkestër engjëjsh. Zgjati pothuaj 30 sekonda dhe nuk ishte ëndërr, madje as magji. Por edhe kur pushoi po aq befas sa nisi, dhe nuk u dëgjua më një tingull i vetëm, të gjithë vazhdonin të rrinin në gjendjen e tyre "të gurëzuar" të sekondave të mëparshme, dhe u deshën minuta të tëra që të dilnim nga topitja. Një duartrokitje e menjëhershme mbuloi mëpastaj tarracën e lulëzuar të "Riva Rosa"-s dhe unë mendova në çast se kishim përjetuar ndonjë "sugjestion kolektiv", kur kamerieri më i vjetër, zëdridhur nga emocioni, shpjegoi se muzika që sapo kishim dëgjuar, sipas legjendës, ishte muzika më e bukur që Vivaldi pati shkruar ndonjëherë, simfonia e tij e humbur, muzika e shkruar mbi ujë, që era e sillte shumë rrallë që nga shekujt e largët…
Të nesërmen, në lagjen "Bragora", lagjen ku pati lindur, gjeta pjesë nga legjenda e muzikantit dhe kompozitorit më të famshëm të Venecias, Antonio Vivaldit, të njohur edhe si "prifti qimekuq", për hir të floknajës së tij të kuqe.
Vivaldi ishte një nga virtuozët e violinës më të admiruar të kohës së tij. Po ashtu, ishte i njohur si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të periudhës baroke, si krijuesi parësor i koncerteve për solistë, gjini e iniciuar nga Correlli. Ndikimi i tij në Itali dhe në gjithë Europën ka qenë i konsiderueshëm dhe mund të matet me faktin që Bach-u ka adaptuar dhe transkriptuar për organo më tepër vepra të Vivaldit se të kompozitorëve të tjerë. Aktiviteti i tij u shtri më së shumti në muzikën instrumentale - sidomos atë violinistike - dhe në muzikën lirike; ai krijoi një numër të konsiderueshëm koncertesh, sonatash, operash dhe pjesësh religjioze. Thuhet se mund të kompozonte një concerto më shpejt se ç‘kishte mundësi kopjuesi ta rikopjonte. Gjenia e tij i dha botës Katër Stinët, pjesa muzikore më popullore në repertor klasik botëror.
Pjesën tjetër të legjendës së tij e plotësova me rrëfenjat e mjeshtrit të mbledhjes së traditës gojore të Venecias, Aberto Tozi Fei-t: "Sipas dokumenteve, Antonio Lucio Vivaldi lindi më 4 mars 1678, dhe me që ishte ‘në rrezik për jetën‘, u pagëzua menjëherë që në shtëpinë e mamisë. Prindërit vendosën shumë vonë, vetëm kur ishte dymuajsh, t‘ia besonin Antonion kërthi duarve të yshtësit. Gjatë këtyre dy muajve të parë të jetës, djalli, duke e ditur fort mirë se çfarë do të bëhej fëmija, kishte vendosur ta përdorte gjeninë e tij muzikore për qëllimet e tij të mbrapshta: Vajrat e shenjta e bënë gjithsesi punën e tyre, ndonëse jo në mënyrë të plotë dhe përfundimtare.
Te Vivaldi shfaqej në të vërtet një lloj ‘natyre e dyfishtë‘, kundër së cilës ai u rebelua vazhdimisht dhe për t‘i dhënë ‘dërrmën‘, vendosi të dorëzohej prift. Porse, më 16 nëntor të vitit 1737, Vivaldi i shkruante markezit Guido Bentivoglio de Ferrare: ‘U bënë 20 vjet që nuk meshoj, madje, nuk kam për të meshuar kurrë më, dhe jo për hir të ndonjë ndalimi apo urdhri, siç i kanë thënë Kardinalit, por ngaqë e kam vendosur vetë, dhe kjo për hir të një të keqeje të cilën e vuaj a nativitate (që nga lindja) dhe që më shtyp. Porsa u dorëzova prift, meshova për më tepër se një vit, pastaj u ndala, sepse m‘u desh ta lija disa herë altarin pa e mbaruar dot meshën, për shkak të kësaj të keqeje‘. Ngaqë ishte thellësisht i mirë, shpirti që ai strehonte në veten e tij, ndonëse e rreshtonte në kampin e të ligjve, nuk ia dilte dot ta pengonte të shkruante dhe të mendonte gjëra me të vërtet engjëllore. Djalli nuk e duroi dot më këtë gjendje. Përballë fuqisë së Zotit dhe vullnetit këmbëngulës të njeriut, duke e ditur se, herët a vonë, do të humbiste një shpirt me vlera të jashtëzakonshme, vendosi të luante kartën e tij të fundit: e pengoi përgjithmonë Vivaldin të shkruante veprën që qëndronte e mbyllur në zemrën e tij, në atë zemër që djallit iu refuzua, dhe që do të kish lënë pa mend tërë njerëzimin shekujve që do të vinin. Pas vdekjes më 28 korrik 1741 në Vjenë, Antonio Vivaldi u kthye sërish në një qenie krejtësisht qiellore. Por shpirti i tij mbante një peng të madh: pengun që s‘kish mundur t‘i dhuronte botës muzikën e tij më të bukur. Edhe sot e kësaj dite", thotë legjenda, "netëve, kur era vetëm sa e cakit cipën e detit, shpirti i tij, varur mbi dallgë, ngushëllohet duke shkruar përmbi ujë notat e një muzike që ai i ka mbajtur përherë në zemër dhe që askush s‘ka për ta dëgjuar dot kurrë". Kështu pra, muzika më e bukur dhe më e arrirë e Antonio Vivaldit ka humbur nga një hakmarrje e djallit, porse venecianët betohen brez pas brezi për gjithë shenjtët e tyre, se, kur e kur, shakullina e një ere dashamirë, duke përkitur shkumën e valëve, sjell në breg copëza të një simfonie qiellore. Dhe kush ka shpirt, e dëgjon…