Beqaj, një hero shqiptar çon Qipron në Ligën e Kampioneve
“Beqaj shkëlqen, Famagusta shkruan historinë”. Faqja zyrtare e UEFA-s, uefa.com, jep vlerësimet më të larta për portierin shqiptar të së parës skuadër qipriote që luan në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve.
Anorthosis Famagausta ia doli të ndalë furinë e Olimpiakosit të Pireut, në një mbrëmje historike, ku portieri Arjan Beqaj u bë heroi i skuadrës së tij, duke pësuar vetëm një gol, e duke çuar kampionen në fuqi të Qipros midis 32 ekipeve më të mira të kontinentit.
Pas fitores së pastër 3-0 në ndeshjen e parë të turit të tretë eliminator të Kupës UEFA, Anorthosis humbi 1-0 në Athinë kundër Olimpiakosit, skuadrës më elitare greke, që në 12 kampionatet e fundit kishte fituar 11 tituj kampion.
Pragndeshja midis Olimpiakosit dhe Anorthosis pati dhe skena jo të këndshme, teksa huliganët nga Pireu sulmuan tifozët e ardhur nga Qipro, aq sa policia greke u detyrua të përdorë edhe gazlotsjellës dhe granata tymuese për të ndalur vandalët e Olimpiakosit të Pireut.
“Eksplozive ishte atmosfera në çastin kur lojtarët e Anorthosit hynë në fushë për të kryer nxehjen, - shkruan gazeta e rëndësishme sportive greke “Goal Day”, - por emri që dëgjuam më shumë të thirrej pa pushim nga të gjithë tifozët ishte ai Beqajt”.
Në stadiumin “Georgios Karaiskakis”, Beqaj tregoi se jo më kot është votuar si portieri më i mirë i kampionatit qipriot: realizoi 14 pritje, duke pësuar vetem një gol në pjesën e dytë nga Fernando Beluçit (53’), e duke hequr nga sofra e madhe e Ligës së Kampioneve, Olimpiakosin që nuk mungonte që nga viti 1997.
Olimpiakos-Anorthosis, apo më mirë Olimpiakos-Beqaj ishte një dialog 90 minutësh midis skuadrës më të madhe greke me portierin 31-vjeçar shqiptar, i cili, i bekuar ndoshta dhe nga zoti, ishte në një ditë të jashtëzakonshme, duke bllokuar gjuajtjen e Mitroglut me dy hedhje të shkëlqyera, ashtu siç bëri më pas edhe me gjuajtjet e Luçiano Geletit, e më pas të Beluçit, duke neutralizuar çdo përpjekje të grekëve.
Pamjet televizive të stacionit shtetëror grek “ERT World”, që transmetoi direkt edhe ndeshjen, shfaqën Arjan Beqajn të përshëndetur nga disa qindra tifozë qipriotë, por dhe shtrëngimin e duarve të trajnerit të Anorthosis Famagusta, Temuri Ketsbaia, me portierin shqiptar, i cili e ngriti edhe në krahë më pas trajnerin e tij në një nga mbrëmjet më të mëdha të futbollit qipriot.
“Fitoren ua dedikoj futbollistëve, - citohet Ketsbaia nga faqja qipriote Protathlima.com.cy, - luajtëm kundër një ekipi të madh me 11 kampionate të fituara në 12 vjet. Dua të falënderoj çdo lojtar, për mua ishte si të fitonim Ligën e Kampioneve. Është hera e parë që një skuadër qipriote luan në Ligën e Kampioneve. Të shkojmë dhe të argëtohemi me çdo ndeshje, nuk dua asgjë tjetër”.
Faqja greke Daynews.gr në komentin e saj për ndeshjen shkruan: “Skuadra e Timur Ketsbagias luajti shumë mirë në mbrojtje, dhe nuk i lejoi lojtarët e Olimpiakosit të luajnë shumë afër portës së Beqajt, i cili megjithatë realizoi një pritje të mrekullueshme, kur bllokoi gjuajtjen me kokë në minutën e 4-t, duke bërë edhe një tjetër pritje të shkëlqyera në minutën e 20-të, duke ia hequr topin nga këmbët e Papadopulos”. Beqaj kishte “manjetizuar” dorezat, pasi “thithi” çdo gjuajtje të kundërshtarëve, përfshirë ato të Galetit në minutën e 29-të e të 40-të.
Faqja më e madhe sportive greke Sport24.gr, thuajse ia dedikon formës së jashtëzakonshme të portierit shqiptar kualifikimin e Anorthosit në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Edhe gazeta e njohur greke “Eleftherotipia” shkruan me të njëjtat tone të ngrohta për Arjanin. “Portieri shqiptar së bashku me Dellas, Kasvakisin, Kostandinun e Dobrasinoviçin bënë një ndeshje të madhe, mbyllën të gjitha korridoret dhe që nga momenti që drejtuan ndeshjen në mesfushë, duke u bërë të pamposhtur”.
Vetë Arjani i cituar nga “Eleftherotipia” thotë: “Më atë që paraqitëm në dy ndeshjet, kualifikimi ynë ishte i drejtë. E vërteta është se pas 1-0 u frikësuam pak, por ia arritëm qëllimit”.
LOJTARI MË I MIRË
Arjan Beqaj u votua edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes: “MVP” (Most Voted Player-Lojtari më i votuar) i ndeshjes sipas gazetës së madhe greke “Eleftherotipia”. “Dy e meritonin këtë titull në llogarinë e Anorthosis. Portieri Arjan Beqaj, i njohur për ne nga Jonikos e Ofi, i cili luajti një rol thelbësor në ndeshje, tjetri Trajanos Dellas, i cili si qendërmbrojtës i lirë, ndihmoi edhe mesfushën”. Edhe “Kathimerini” ndan të njëjtin mendim: “Heroi i ndeshjes ishte Beqaj, i cili ishte protagonist edhe në Qipro”. Tashmë, edhe Shqipëria edhe pse me “legjionarë’ përfaqësohet në Ligën e Kampioneve, me një hero në Qipro si Beqaj dhe një kapiten të madh në Marsejë, si Lorik Cana.
Beqaj katër herë kundër Ibrahimoviçit
Arjan Beqaj do të jetë përballë yllit të futbollit evropian, Zlatan Ibrahimoviç, kur Kombëtarja e Shqipërisë të ndeshet me Suedinë më datë 6 shtator në stadiumin “Qemal Stafa” në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e kampionatit botëror Afrikë e Jugut 2010. Mirëpo, kjo nuk do të jetë përballja e vetme e portierit shqiptar me gjigantin suedez, pasi shorti i Ligës së Kampioneve i hedhur sot ka vënë në të njëjtin grup Anorthosis Famagusta dhe Interin e Milanos. Kësisoj, pas ndeshjes me kuqezinjtë në javën e parë të shtatorit, Beqaj me klubin e tij qipriot do të sfidojnë Interin e Ibrahimoviçit. Në total, portieri shqiptar do të vihet përballë sulmuesi suedez katër herë gjatë këtij sezoni: dy herë me kombëtaren dhe dy herë me klubin, me sistemin e ndeshjeve vajtje-ardhje në të dyja kompeticionet në fjalë. Kësisoj, Beqajt i duhet të bëjë mrekullira, siç bëri ndaj Olimpiakosit 24 orë më parë, për të ndalur gjigantin e Suedisë në eliminatore me kuqezinjtë, por edhe në Ligën e Kampioneve me klubin qipriot, që synon të shkruajë historinë në Evropë.
29 Gusht 2008