E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stiven Spilberg regjisor i Tintin



Stiven Spilberg është vendosur përfundimisht se do të jetë regjisori i filmit të animuar Tintin. Tintin është vogëlushi i përjetshëm që lindi prej lapsit të Herge qysh në vitin 1929, për t’u bërë më tej pjesë e ekranit të madh. Ky personazh do të jetë protagonist i një trilogjie të prodhuar nga “Dreamworks”, e cila ka zgjedhur mes të tjerësh regjisorin Spielberg për këtë film. Madje, “Dreamworks”-it i është dashur të bëjë përgënjeshtrim mbi një deklaratë të studios “Herge”, sipas së cilës ishte thënë se regjisor i episodit të parë të serisë së këtij filmi do të ishte Peter Xhekson. Kështu edhe njëherë, një tjetër personazh i revistave të ilustruara (fumeteve) lë fletën e stampuar për t’u hedhur në ekranin e madh të kinemave. I shoqëruar nga miku i tij i pandashëm Milu, reporteri Tintin do të jetë protagonist i tri metrazheve të gjata. Kapitulli i parë do të bazohet mbi historitë “Sekreti i Liokornos” dhe “Thesari i Rakam, të Kuqit”, të botuara gjatë viteve 1942-1943. Duhet thënë se ky projekt ka qenë vazhdimisht i shoqëruar nga një enigmë. Gjatë ditëve të kaluara, Studios Herge në Bruksel, që është dhe pronari i gjithë të drejtave të autorit për historitë e Tintin ka është shprehur zyrtarisht se regjisor i filmit të parë të trilogjisë do të ishte Peter Xhekson, duke përgënjeshtruar të gjithë zërat që vinin Spilbergun në këtë vend. Pas kësaj deklarate, një tjetër përgënjeshtrim nuk ka vonuar të vijë nga “Dreamwork”, sipas deklaratës të së cilës rikonfirmohet zyrtarisht Stiven Spilberg si regjisor i kapitullit të parë, ndërkohë që të tjerë zëra thonë se në kapitullin e dytë, do t’i ngarkohet regjisorit Peter Xhekson kjo detyrë. Tintin është protagonisti i 23 historive që janë shitur në më shumë se 200 milionë kopje në të gjithë botën. Tintin është përkthyer në më shumë se 50 gjuhë të ndryshme. Babai, pra krijuesi i këtij personazhi, Xhorxh Remi u nda nga jeta në mars të vitit 1983.

29 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›