Nën hetim skuadrat e Lalës dhe Skelës

Jetmir Halilaj (Panorama Sport)
Ndeshja e Bundesligës Hanover-Kaizerslautern, 5-1, e luajtur më 26 nëntor të vitit 2005, dyshohet se është e manipuluar dhe Federata Gjermane e Futbollit po përgatitet të nisë një proces zyrtar hetimi. Lajmin e konfirmojnë edhe mediat gjermane, por deri tani gjithcka mbetet në kuadrin e hipotezave dhe të dyshimeve të zakonshme, pasi nuk ka asnjë konkluzion. Në atë periudhë te Kaizersaluterni luante mesfushori i Kombëtares, Ervin Skela, ndërsa te Hanoveri kapiteni kuqezi, Altin Lala. Të dy shqiptarët kanë qenë në fushë përballë njëri-tjetrit në atë takim.
Presidenti
Sapo është vënë në dijeni të akuzave se ndeshja e tri viteve më parë mund të ketë qenë e trukuar, presidenti i Hanoverit, Martin Kind, ka urdhëruar trajnerin aktual të skuadrës, Ditier Heking, para përballjes me Shtutgartin të shtunën e kaluar që të fliste me lojtarët e Hanoverit që kishin marrë pjesë në atë takim. Tekniku ka zhvilluar një takim me Robert Enken, Stiv Cerundolon, Mikael Tarnatin, Hano Balicin, Altin Lalën, Jiri Shtajnerin dhe Cavdar Jankovin, të cilët kanë qenë të pranishëm në atë sfidë dhe i ka pyetur nëse kishin vënë re ndonjë gjë të cuditshme, para ose gjatë ndeshjes. "Unë fola me lojtarët dhe ata më thanë se nuk kishin vënë re asgjë të cuditshme. Kam shumë besim te ato që kanë thënë", deklaroi presidenti Kind për "Fuldaer Zeitung". Në atë ndeshje, Kaizerslauterni ka qenë në vendin e fundit të renditjes dhe ka bërë një paraqitje mjaft të keqe. "Deri tani është vetëm ky fakt dhe nuk ka asgjë tjetër, - tha presidenti i Hanoverit. - Mendohet që të jenë vënë baste për humbjen e Kaizerslauternit dhe nëse është e vërtetë, atëherë ky nuk është problemi ynë, por i klubit kundërshtar. Megjithatë më duhet të shtoj se nëse këto spekulime vërtetohen, atëherë do të jetë një katastrofë e vërtetë për futbollin gjerman".
Nojrer
Ish-trajneri i Hanoverit, Peter Nojrer, i cili ka drejtuar skuadrën në atë periudhë, ka thënë se kjo është një gjë shumë e rëndë nëse vërtetohet me fakte: "Duhet të jesh shumë pervers për të bërë manipulime në një ndeshje. Më acaron ideja se mund të ketë pasur manipulim". Ndërkohë që ish-trajneri i Kaizerslauternit asokohe, Volfgang Volf, nuk beson te këto spekulime. "Unë besoj maksimalisht se lojtarët nuk e kanë manipuluar as atë dhe as ndonjë ndeshje tjetër, sepse i njihja mirë ata", u shpreh Volf. Mirëpo media gjermane ka nxjerrë nga "arkivat" një deklaratë të ish-lojtarit të Kaizerslauternit në atë kohë, Ervin Skelës, i cili menjëherë pas ndeshjes ka thënë: "Hanoverit nuk iu desh shumë punë sot". Kjo fjali e bën akoma më të dyshimtë këtë cështje.
Skandal
Dyshohet për trukim edhe ndeshja e Bundesligës 2 në atë javë, mes Karlsruhes-dhe SC Freindesigen. Ish–futbollisti i Karlsruhes, Shon Dandi, ka thënë se pak javë para asaj përballjeje, dikush ishte prezantuar si tifoz dhe i kishte thënë se do t'i ofronin 20 mijë euro, në rast se ai do të humbte penallti apo goditje dënimi në dëm të skuadrës së tij. Por ai e kishte refuzuar menjëherë këtë ofertë të pistë.
Reagimi i Skelës: "Shpresoj të mos jetë e vërtetë"
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela, ka reaguar dje pas lajmeve të publikuara në median gjermane se ndeshja Hanover-Kaizerslautern 5-1 mund të ishte e manipuluar. "Nuk di cfarë të them, sepse lajme të tilla nuk më gëzojnë aspak dhe nuk më mbetet gjë tjetër vecse të shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë, pasi në të kundërt do të mërzitesha tej mase, – u shpreh Skela për ‘Panorama Sport'. – Unë nuk mund të vë dorën në zjarr se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, por derisa nuk kam fakte, atëherë nuk mund të akuzoj askënd. Cfarë mendoj unë personalisht? Jam tërësisht i bindur se nuk ka pasur asnjë manipulim, sepse skuadra dha maksimumin e saj, pavarësisht se humbi 5-1. Megjithatë nuk jam unë ai që vendos nëse ka qenë ndeshje e pastër apo jo, sepse me këto gjëra merren organet e drejtësisë". Fantazisti i përfaqësueses ka thënë se e mban mend shumë mirë atë takim: "Ishte ndeshja ime e parë te Kaizerslauterni që luaja në rolin e ‘liberos', kështu që nuk mund ta harroj". I pyetur nëse kishte vënë re ndonjë gjë të cuditshme në atë ndeshje, Skela është përgjigjur: "Më habiti vetëm fakti që nga pesë golat që pësuam, katër prej tyre u realizuan nga goditje dënimi ose nga goditje këndi, dhe kjo ndoshta nuk ishte fort normale".