Beqaj, projektohet rikthimi tek OFI
Kur sezoni futbollistik po i afrohet fundit, Arjan Beqaj po mendon seriozisht për të ardhmen. Kontrata e 33-vjeçarit të Kombëtares me Anorthosis Famagusta në Qipro përfundon në verë. “Gardiani” nuk e ka fshehur faktin se dëshiron të firmosë kontratën e fundit në karrierën si profesionist me klubin aktual, por edhe pse është një prej elementëve më të rëndësishëm të qipriotëve, mosha e tij e madhe përbën një pengesë. Një prej alternativave për Beqajn është rikthimi tek OFI në kampionatin grek. Skuadra nga Kreta do të luajë në fazën “play-off” për të pretenduar që të ngjitet sërish në Superligën greke, objektiv që nuk e realizuan në mënyrë direkte vetëm për tri pikë në kampionat. 33-vjeçari kuqezi ka luajtur me OFI-n për gjashtë sezone (1997-2003), përpara se të transferohej tek Ionikos e më pas tek Anorthosis.
#