E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqaj qetëson Hanin: Do jem ndaj Maltës

 

Jetmir Halilaj

Arian Beqaj do të jetë i gatshëm të mbrojë portën e Kombëtares në përballjen me Maltën, më 11 shkurt në Ta’Qali. Por, edhe sikur të mos jetë, ai thotë se drejtuesit e Kombëtares nuk duhet të bëjnë panik. Sipas gardianit kuqezi, Shqipëria ka edhe një zgjidhje tjetër të mirë në portë: Samir Ujkanin e Palermos. Ai i thur lavde portierit 20-vjeçar. “Jam mirë dhe të mërkurën (nesër) do të stërvitem me skuadrën. Besoj se do të jem kundër Maltës, pasi jam drejt rikuperimit”, ka thënë Beqaj për “Panorama”. Megjithatë, ai nuk e dramatizon situatën dhe promovon Ujkanin si pasardhësin ideal të tij. “Ujkani është shumë i mirë dhe e pret një e ardhme e madhe. E kam parë nga afër në të dyja ndeshjet e fundit të Kombëtares kur ishte i grumbulluar edhe ai. Ka një të ardhme të shkëlqyer. Nuk ka si të mos jetë i përgatitur për Kombëtaren, stërvitet dhe luan në kampionatin më të mirë në Evropë. Edhe nëse nuk ia dal mbanë, ai mund të më zëvendësojë më së miri”. Nuk përjashtohet mundësia që Ujkani të jetë zgjidhja e parë e trajnerit të Shqipërisë Ari Han për ndeshjen kualifikuese me Maltën, nëse Beqaj nuk rikuperohet plotësisht. Megjithatë, Beqaj ngul këmbë se do të jetë i gatshëm për t’i ndihmuar shokët kundër maltezëve. “Të mërkurën do të kthehem me ekipin tim dhe ka gjasa të luaj që të shtunën në kampionatin qipriot. Kam biseduar edhe me trajnerin Han dhe zyrtarët e Federatës Shqiptare, besoj se do të jem në formë me Maltën”, ka thënë mbrojtësi ekstrem. Beqaj ka dy muaj që nuk aktivizohet për shkak të dëmtimit. “Na mungojnë lojtarë të rëndësishëm dhe kjo nuk është mirë për ekipin. E rëndësishme është që të tjerët të japin maksimumin dhe të gjithë të kemi një qëllim, të marrim një fitore”, shton Beqaj. Ndeshjen e parë me Maltën në Tiranë, Shqipëria e pati fituar me rezultatin 3-0. Në katër ndeshjet e para, kuqezinjtë kanë mbledhur pesë pikë.
Problemet
Trajnerin e Kombëtares, Ari Han, përveç dëmtimeve të shumta e shqetëson edhe forma e dobët e disa prej lojtarëve kyç të ekipit. Sulmuesi Erjon Bogdani ka kohë që nuk po aktivizohet me ekipin e tij Kievo, pastaj Edmond Kapllani e Jahmir Hyka pritet të mos ftohen fare, po për shkak të formës së dobët. Edhe sulmuesi tjetër Hamdi Salihi nuk është në formë optimale, pasi ka pak kohë që është kthyer nga një dëmtim, që e mbajti gjatë jashtë fushave të lojës. Momente të mira nuk po kalon as Kristi Vangjeli me ekipin e tij grek, Aris. Ai nuk po aktivizohet fare nga tekniku i kësaj skuadre. Trajneri e ka cilësuar këtë sfidë si më të rëndësishmen e këtij edicioni, por duhet t’i bëjë llogaritë me një situatë alarmante në kampin kuqezi. Një dështim ndaj Maltës, padyshim që do të trondiste pozitat e holandezit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›