E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet banesa e lokali

 

DURRES/ FIER – Dy grabitje ndodhën në Durrës e Fier, kur autorët një herë me dhunë e një herë në mënyrë ende misterioze kanë grabitur shuma të mëdha parash. Në një pikë lojërash fati pranë Hekurudhës në Durrës, tre persona të maskuar u futën duke grabitur 80 mijë lekë. Rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, tre personat kanë kërcënuar me jetë rojën e sigurisë Florian M., dhe arkëtarin Admir K., nëse nuk do t’u dorëzonin paratë. Sipas policisë, roja ka tentuar fillimisht me fjalë dhe forcë të ndalë grabitësit, por është goditur me një breshëri grushtesh në fytyrë. Me të nxjerrë jashtë funksioni truprojën, arkëtari Admir K., është fshehur pas makinerive video-poker, duke mos bërë dot asgjë. Me të neutralizuar stafin e kazinosë, tre maskat kanë thyer arkën, duke marrë prej saj të gjithë xhiron e mbrëmjes. Ndërsa në Fier, persona ende të paidentifikuar vodhën në banesën e një biznesmeni 1 milion lekë. Benjamin Cenaj, pronar i një lokali ka pikasur zhdukjen e parave nga sirtari i dhomës së gjumit. Sipas tij, në apartamentin që ndodhet në katin e dytë të një pallati në lagjen “Kastriot” kishte lënë xhiron ditore. Por, kur është kthyer në banesë disa orë më vonë nuk i ka gjetur më ato. Policia dyshon tek njerëz të njohur të pronarit, pasi nuk është gjetur asnjë shenjë dhune në banesë. o.u/m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›