Mashtruan me viza, kërkohet 13 vjet për botuesit e “Diasporës”
SHKODER – Mashtrimet me viza amerikane mund t’u kushtojnë disa vite burg botuesit dhe punonjësit të revistës “Diaspora” në SHBA. Prokuroria e Shkodrës kërkoi dje dënimin me 13 vjet heqje lirie për Thanas Moçkën dhe David Makajn për abuzime me një shumë të madhe parash. Sipas provave të organit të akuzës mësohet se të pandehurit kanë premtuar viza amerikane për katër persona, duke i marrë secilit 23 mijë euro. Dy pjesëtarët e revistës “Diaspora” janë denoncuar nga të interesuarit për vizë nga Malësia e Madhe vitin e shkuar, pasi u kanë marrë atyre shuma të konsiderueshme parash në këmbim të dokumenteve të rregullta për të shkuar në SHBA. Kjo ka bërë që dhjetorin e shkuar ata të arrestohen menjëherë dhe të nxirren para organit të drejtësisë. Paraditen e djeshme, në çështjen e tyre në Gjykatën e Faktit në Shkodër, prokuroria ka dhënë pretencën e saj në lidhje me veprën penale të “vjedhjes me anë të mashtrimit” ndaj dy të pandehurve Thanas Moçka dhe David Makaj. Prokurori Kujtim Basha pas konkluzioneve të tij ka kërkuar deklarimin fajtor të dy të pandehurve, (njëri në gjendje të lirë dhe tjetri nën masën e sigurisë të arrestit në shtëpi) dhe dënimin e tyre përkatësisht me 7 vite burg për Moçkën dhe 6 vjet për Makajn. Mbrojtja nga ana e saj ka kërkuar kohë, që të përgatisë kërkesat dhe konkluzionet përfundimtare, duke e shtyrë dhënien e vendimit për një tjetër seancë gjyqësore. r.d