Në 85-vjetorin e mjeshtrit
Do të mbushte dje 85 vjeç. Sulejman Pitarka, një ndër aktorët më të suksesshëm të teatrit dhe kinematografisë, kishte dje ditëlindjen. I lindur më 2 shkurt të vitit 1924 në Dibrën e Madhe. Interpretoi fillimisht në teatrin amator të Durrësit dhe në 1951 bëhet pjesë e Trupës së Teatrit Popullor. Disa prej veprave ku interpretoi janë “Halili dhe Hajria”, “Borgjezi fisnik”, “Epoka para gjyqit”, “Vajza me flokë të thinjura”, “Prefekti”, “Karavidhet”, “Arturo Ui”, “Një nuse për Stasin”, etj. Pas suksesit në filmin “Debatik”, Sulejman Pitarka, do të niste një rrugë të gjatë me filmin. Mund të përmendim filmat “Debatiku”, “Horizonte të hapura”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Gjeneral Gramafoni”, “Pas gjurmëve”, etj. Roli i tij më i spikatur është ai i Zheleznovit, komandantit rus, në filmin “Ballë për ballë”, i shpallur fitues në Festivalin e Filmit në vitin 1981. Roli i tij i fundit ishte tek “Pjata prej druri” në vitin 2005. Sulejman Pitarka ndërroi jetë në Tiranë, më 24 mars 2007.