Shima: E vërteta historike e artit pamor, pa etiketa
ALMA MILE
Dhe pak kohë na ndan nga prerja e shiritit. Fundi i marsit shënon hapjen e Muzeut të Artit Pamor shqiptar. Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve tregon shndërrimin e GKA-së në një muze të mirëfilltë arti, që zë fill në fund të shek. XIX, deri në fund të shek. XX. Nuk do të ketë më emërtime si dikur. Muzeu i ri, propozon një “revolucion” termash dhe asgjë më shumë se historinë e artit shqiptar, të thënë si ka qenë me të vërtetë.
Ka filluar një stinë e re në GKA, cila do të jetë ngjarja më e madhe e këtij viti?
Padyshim përurimi i Muzeut. Mendojmë që në fund të muajit mars, gjithçka do të jetë gati për përurimin e këtyre pavijoneve të historisë së artit shqiptar. Ky proces ka nisur që në vitin 2008 me rinovimin e sallave të ekspozimit, sipas të gjitha standardeve të domosdoshme, që kërkon vepra e artit për t’u ekspozuar. Galeria e ka mbyllur atë fazë që kërkonte më shumë kohë dhe fonde, që ka të bëjë me rinovimin e çdo lloj elementi të vjetruar që kishte në ambientet e saj, duke filluar me sistemet e ndriçimit, të sigurisë, kondicionimit, rinovimin e dyshemesë, tavaneve, mureve. Pra, infrastruktura është gati. Tashmë po punojmë për seleksionimin e koleksionit.
Çdo ndodhë me veprat e fondit, do të mund të ekspozohen, apo do vazhdojnë të rrinë të “dënuara” në magazina?
Duke qenë se koleksioni i GKA-së, përmban rreth 4500 vepra, është e pamundur që ato të ekspozohen të gjitha, me gjithë vënien në efeciencë të së gjithë ambienteve. Ekspozohet vetëm 40% e veprave që disponojmë. Për këtë është menduar që për të sjellë këtë koleksion tek publiku, në sallën e ekspozitave të përkohshme, në mënyrë ciklike vetë GKA të organizojë ekspozita afatgjata, që mund të qëndrojnë 2-3 muaj. Shumë vepra kanë 40-50 vjet pa u ekspozuar dhe është shumë e rëndësishme, që ato të shkojnë tek publiku. Për këtë ka filluar puna për të evidentuar të gjitha koleksionet, për t’iu nënshtruar procesit të restaurimit dhe pastrimit dhe të jenë gati për ekspozim, në bazë të koncepteve që do të paraqesin studiuesit e artit dhe kuratorët.
Ju folët për restaurim, kjo do të thotë shumë kohë dhe para...
Fazat e restaurimit do të zgjasin në këtë institucion. Në pamundësi të financimeve nuk operojnë dot me një plan të qartë. Institucione si Teatri i Operës, Teatri Kombëtar, GKA, janë pjesë e një sistemi të vjetër të falangës së komunizmit. Janë institucione të amortizuara dhe në pamundësi për të bërë investime nga themelet deri në tarracë, punojmë me fonde, duke e ndarë projektin në faza të ndryshme, duke e ndarë edhe godinën në hapësira të ndryshme. Më tej, është parashikuar një projekt për ndërhyrjen në fondin ku ruhen veprat. Fondi ka nevojë të zgjerohet, sepse ndër vite janë bërë investime krejt të gabuara, duke mos respektuar fare kushtet që kërkon ruajtja e veprave. Do të investohet në mbajtjen nën kontroll të shokut klimatik, që është alarmant. Temperaturat luhaten nga 35 gradë në verë deri në -1 në dimër. Ky shok duhet vënë nën kontroll, sepse është shkaku kryesor i dëmtimit të veprave. I rëndësishëm është sistemi i aspirimit dhe struktura mbajtëse e çdo vepre, duke respektuar distancat e duhura. Ky projekt do të mbyllet brenda 2009-ës.
Kur fillon dhe kur mbaron historia që rrëfehet në këtë muze?
Piktura shqiptare ka një shtrirje kohore në më pak se një shekull. Pra, muzeu tregon historinë 1-shekullore të pikturës. Duhet thënë se shqiptarët kanë filluar të pikturojnë relativisht vonë, vetëm në fund të shek. XIX, ndaj dhe këto periudha ne kemi dashur t’i shikojmë nën nuanca patriotizmi, duke i vënë edhe emra. Sot është shumë e vështirë të thuash se nuk ka art të Rilindjes, apo art të Pavarësisë, sepse njerëzit janë mësuar me këto terma dhe janë shprehje që janë futur në jetën e përditshme. Ajo çka ne po bëjmë këtu, është të tregojmë me vërtetësi periudhat dhe eksperiencat, që kanë ndodhur në zhvillimin e artit shqiptar. Duke nisur që nga fillesat e pikturës shqiptare, që e quajmë arti laik, për të vazhduar me atë grup krejt më vete, që studioi në perëndim dhe solli një frymë realiste dhe bënë të munduar kalimin nga ky realitet shoqëror në një realitet të ri politik, ideologjik, shoqëror, realizmit socialist. Për t’i lënë vendin grupit tjetër të përgatitur në vendet e ish-bllokut komunist, që quhet realisht fytyra e realizmit socialist, dogma e realizmit socialist, e cila edhe kjo nuk duhet parë në bllok. Edhe këtu ka lëvizje, tendenca të ndryshme, kërkime artistike dhe kanë dhënë disa rezultate të mira estetike, gjithnjë pa cenuar përmbajtjen, gjithnjë politike. Mund të përmend vitet ’69-’73 që përkon me liberalizimin në art. Për të vijuar me modernizmin shqiptar. Kur bota kishte hyrë në periudhën e postmodernizimit, modernizmi vjen tek ne dhe trajtohet i plotë, pas 100 vjetësh. Të gjitha këto bëjnë një rrëfim shumë didaktik, të vërtetë, që ky muze, i ofron publikut.
Pra, nuk do të kemi më “etiketa”, apo emërtime pavijonesh?
Do ketë pavione pa përdorur etiketa. Ajo që ka ndodhur këtu është përdorja e materialit pamor për të rrëfyer historinë e Shqipërisë. Arti pamor ka një histori krejt të vetën që ndikohet nga eksperienca artistike, nga influenca të ndryshme. Kuptohet nuk zhvillohet si një trup i vetëm, jashtë zhvillimeve politike, por nuk mund të përdoret për të ilustruar historinë e një vendi. Ky është gabimi, nga kanë lindur edhe këto emërtime. Duke qenë se ne kishim një periudhë të Rilindjes kombëtare, duhet të kishim edhe një periudhë artistike që i korrespondon. Por po të studiojmë krijimtarinë e kësaj kohe, vëmë re, se artistët që ne i quajmë rilindës, nuk kanë qenë fare të tillë. Kanë qenë artistë të thjeshtë, që bënin punën e tyre. Ashtu si pikturonin Skënderbeun, pikturonin edhe një oficer turk me veshjet dhe gradat e tij. Por ne i kemi spastruar gjithë osmanët dhe i kemi futur nëpër fonde dhe kemi lënë vetëm Skënderbejtë. Ndërkohë që këta elementë nuk e dëmtonin artistin, përkundrazi, tregonin kontekstin dhe statusin që ai kishte në shoqëri. Një piktor që kishte studio në fillim të shek. XX, kishte një biznes fitimprurës, pasi i përgjigjej kërkesave të kohës. Ne nuk po bëjmë ndonjë zbulim, por thjeshtë po themi të vërtetën.
Si po ecën puna për parkun e statujave të diktatorëve?
Parku po vazhdon. Shumë shpejt do të vijë edhe vepra e fundit që ndodhet në QRVA. Është monumenti i Stalinit, që ndodhej në Kombinat. Një vepër që fatmirësisht ruhet, që do të depozitohet për ruajtje në fondin e GKA, në kopshtin e pasmë të saj. Jam në bisedime për të marrë një vepër shumë të rëndësishme, një basoreliev (9x4 m), një narrativë e gjithë përpjekjes së shqiptarëve në shekuj, ekstremist ideologjik. Këta do të jenë elementët kryesorë që do të ndërtojnë këtë kopsht, që do të jetë një aneks i Galerisë, ku publiku të shohë një pjesë të historisë, nëpër të cilën ka kaluar arti shqiptar. Është pjesa e agjit-propit, që ndikonte direkt tek njerëzit. Nuk e dimë nëse është momenti për ta hapur këtë kopsht, pasi më parë shoqëria duhet të shkëputet nga e kaluara e vet. Në momentin që ky proces nuk ka ndodhur, është shumë e vështirë.
Ikonat mbeten jashtë
I vendosur në fillim të viteve ’90 në galeri nga drejtori i atëhershëm Alush Shima, pavijoni i ikonografisë nuk parashikohet të jetë në muzeun, që pritet të përurohet së shpejti. Drejtori aktual Rubens Shima, thotë se ai nuk e ka vendin në këtë muze, pasi paraqet një vepër të krijuar për një qëllim të caktuar, që është ai fetar, që mbijetoi i pandryshuar për një periudhë shumë të gjatë dhe nuk ndikoi në periudhat e mëvonshme artistike, laike. Në verën që shkoi, ikonostasi që ndodhej në katin e dytë të GKA-së, u çmontua dhe vendin e tij do ta zënë të tjera vepra.