E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, infarkt në minierë brigadierit të mekanikëve

 

BULQIZË - Shënohet viktima e 17-të në minierën e Bulqizës, por këtë herë jo nga aksidentet në galeri. Një mekanik 44-vjeçar humbi jetën, pasi pësoi një infarkt. Enver Karaj, babai i dy fëmijëve ishte ankuar rreth orës 14:00 se kishte dhimbje në kraharor dhe bark. Mjeku i minierës dhe punonjës të tjerë e ndihmuan dhe më pas e nisën në spital. Por duket se lëvizja nga miniera ka qenë fatale për jetën e tij. Specialistët pohuan se nëse brigadieri i mekanikëve të minierës nuk do të kishte lëvizur në atë mënyrë, mund të kishte mbijetuar. “Nuk e dinim se ai kishte pësuar infarkt”, thanë mekanikët që iu ndodhën pranë brigadierit të tyre. Një orë pas mbërritjes në spital, Enver Karaj humbi jetën. Mjekët e spitalit të Bulqizës deklaruan se i ndjeri pësoi një goditje tjetër, e cila ishte vdekjeprurëse. Drejtori i minierës, Petrit Duva shprehu keqardhje për këtë ngjarje. Enver Karaj ishte nga fshati Kacaj i Bulqizës. Mjekët pohuan se ai pësoi infarkt, por ngjarja është duke u hetuar, deri në zbardhjen e plotë të saj.   h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›