E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaçiu ndahet me Trepçën

Bardhyl Kaçiu është ndarë me Trepçën. Mesfushori prishtinas vendosi t’i japë fund eksperiencës në klubin mitrovicas me arsyen se kishte marrë premtime të mëdha, por pa realizime. Nga sot, ai do të kërkojë ekip të ri. Nga Moral Pozhegu më 19 gusht 2011 në ora 11:24

Bardhyl Kaçiu nuk është më lojtar i Trepçës. Mesfushori prishtinas është ndarë përfundimisht me klubin mitrovicas të enjten, pas bashkëpunimit disavjeçar. Këtë e ka bërë të ditur vetë Kaçiu për Express.

“Nga sot, nuk jam më lojtar i Trepçës. Kam shkuar në Federatë dhe kam kërkuar të jem lojtar i lirë”, deklaroi Kaçiu, i cili tash e tutje është i hapur për të biseduar me ekipet e interesuara.

Ai tregon edhe arsyet se pse vendosi t’i japë fund eksperiencës me ‘Xehetarët’. “U erdhi fundi shumë fjalëve dhe premtimeve që m’i ka bërë Trepça. Nuk munda të rri më aty dhe vendosa të largohem”, shtoi ish-futbollisti i Prishtinës.

Me Trepçën, prishtinasi ishte shpallur kampion i Kosovës, dy sezone më parë, ndërsa ishte edhe fitues i Superkupës së Kosovës. Ai ishte pjesë e rëndësishme e ekipit mitrovicas. Tash, prioritet për Kaçiun janë skuadrat kosovare. Ai dëshiron ta zgjedhë një ekip ambicioz, i cili lufton për trofe.

E për këtë më së miri do t’i përshtateshin Vëllaznimi, Trepça ’89 apo edhe Hysi. Sidoqoftë, shumë shpejt do të dihet edhe emri i skuadrës së re të mesfushorit kualitativ, Bardhyl Kaçiu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›