Beqiraj, shembull për të rinjtë
Duke e përgëzuar për suksesin e arritur deri tash, ministri theksoi se paraqitjet e Beqirajt, dhe futbollistëve të tjerë kosovarë që luajnë jashtë vendit, kanë bërë që i gjithë populli i Kosovës të ndjehet krenar. Ministri ka theksuar se Beqiraj është shembull për të rinjtë e tjerë kosovarë, se si duhet tejkaluar kushtet jo të mira brenda Kosovës, për të mbërritur në maja të futbollit.
“Kur të gjithë të rinjtë që luajnë futboll në Kosovë, në një gjendje jo të mirë,
shohin paraqitjet dhe karrierën tënde, besoj se kjo shërben për ta si një frymëzim dhe shpresë se e ardhmja do të jetë më e mirë”, ka deklaruar Krasniqi, i cili theksoi se dikasteri të cilin ai e udhëheq, po përpiqet që t’u krijojë kushte sa më të mira të rinjve për të shkuar rrugës së Fatos Beqirajt dhe futbollistëve të tjerë kosovarë që po shkëlqejnë nëpër Evropë.
Në anën tjetër, ish-futbollisti i Shqiponjës së Pejës e ka falënderuar Krasniqin për pritjen e ngrohtë, duke shprehur gatishmërinë e tij që ta ndihmoj Ministrin e Sportit në synimin e saj për t’i afirmuar futbollistët e rinj kosovarë si brenda shtetit, ashtu edhe jashtë tij.
Beqiraj nga futbolli kosovar pati kaluar në Buduçnost të Podgoricës. Paraqitjet e mira me atë ekip e kishin shtyrë Federatën e Futbollit të Malit të Zi që ta angazhojnë në Kombëtaren e shtetit fqinj. Nga Buduçnosti, pejani qe transferuar në Dinamo, me të cilin ekip realizoi ëndrrën, duke shënuar gol në ‘Santiago Bernabeu’ ndaj Real Madridit, në kuadër të Ligës së Kampionëve.