E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obligohet ta ndihmoj vendin

Përveç angazhimeve me Kombëtaren e Shqipërisë dhe Lazion, Lorik Canës i është shtuar edhe një detyrë. Ai është emëruar ‘Ambasador special i sportit’ nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Ky titull e obligon yllin e futbollit shqiptar që të lobojë për ta përshpejtuar procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. 28-vjeçari premtoi se do t’i përvjelë mëngët, për të punuar seriozisht në këtë drejtim.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) po mundohet t’i shfrytëzojë yjet e sportit kosovar, të cilët kanë bërë emër në arenën ndërkombëtare, që me autoritetin e tyre ta përshpejtojnë procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, në të cilin segment vendi ynë ka stagnuar shumë.

Për këtë, drejtuesit e këtij institucioni, të martën emëruan Lorik Canën ‘Ambasador special të sportit’. Kështu, përveç obligimeve që ka me Kombëtaren e Shqipërisë dhe me Lazion, mesfushorit kosovar tani i është shtuar edhe një detyrë shtesë. Ai i është bashkuar misionit të lobimit për ta përshpejtuar procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.

“Për dallim prej shteteve të tjera, Kosova ende ballafaqohet me sfidën e ndërkombëtarizimit të sportit. Ky është njëri prej diskriminimeve më të mëdha që po u bëhet sportistëve tanë. Megjithatë, ne do të vazhdojmë me përpjekjet tona për ta arritur cakun. Në këtë drejtim na nevojitet ndihma e të gjithëve. Andaj, si kryetar i KOK-ut, më mbështetjen e plotë të Komitetit Ekzekutiv të KOK-ut, Lorik Canën e emëroj ‘‘Ambasador special të sportit’”, tha kryetari i KOK-ut, Besim Hasani.

Sipas Hasanit, me këtë rast, Lorik Cana do të angazhohet edhe më shumë rreth lobimit dhe rreth përshpejtimit të ndërkombëtarizimit të KOK-ut dhe të gjitha federatave sportive të Kosovës.

Në anën tjetër, ish-futbollisti i PSG’së, Marseilles, Sunderlandit dhe Galatararayt, tha se këtë obligim tashmë e ka marrë shumë seriozisht dhe do të bëjë çmos që vendlindjen ta ndihmojë në këtë drejtim.

“Gjatë gjithë karrierës sime, jam munduar maksimalisht ta përfaqësoj sa më mirë vendin tim, Kosovën. Kjo tokë e Kosovës ka qenë inspirimi im më i madh në fushën e blertë. Kur kam pasur ndonjë krizë, toka e Kosovës më ka inspiruar t’i kaloj ato”, u shpreh kapiteni i Kombëtares kuqezi.

Ai premtoi se do ta shfrytëzojë çdo sekondë kur do ta ketë mundësinë për të lobuar në favor të sportit kosovar, për të cilin tha se e vret në zemër kur kujton se vazhdon të mbetet i izoluar.

“Unë jam i gatshëm. Me të gjitha mundësitë e mia, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, do të loboj. Do të bashkëpunoj me KOK-un. Do të përpiqem maksimalisht që të ndihmoj sa më shumë, sepse ‘viktimat’ më të mëdha të kësaj situate janë fëmijët e Kosovës. Ata janë të pafajshëm. Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, dhe këta të rinj duhet të zhvillohen dhe të garojnë në arenën ndërkombëtare dhe nuk duhet të diskriminohen”, u shpreh 28-vjeçari.

Ai pohoi se Kosova ka shumë potencial për të shkëlqyer në arenën ndërkombëtare, andaj duhet t’i jepet rasti për t’u dëshmuar, dhe nuk duhet të vazhdojë diskriminimi ndaj saj.

Cana është futbollisti i dytë i cili emërohet ‘Ambasador special i sportit’. Para reprezentuesit të Shqipërisë, në maj të vitit 2009 ky titull nga KOK-u i qe dhënë futbollistit tjetër kosovar, i cili ka bërë emër në Evropë, Valon Behramit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›