Shalaj në Luzern
_756891.jpg)
Mesfushori i talentuar kosovar, Gëzim Shalaj ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në elitën e futbollit zviceran. Anëtari i klubit nga liga e dytë zvicerane, Kriens, ka arritur marrëveshje paraprake me skuadrën e Luzernit.
21-vjeçari në fillim të janarit, atëherë kur hapet edhe afati kalimtar, zyrtarisht pritet të nënshkruajë kontratë me Luzernin, e cila do të jetë e vlefshme deri në fund të sezonit, por me mundësi vazhdimi.
“Në fillim të janarit, do të nënshkruaj me Luzernin. Kontrata fillimisht do të jetë për gjashtë muaj, por me mundësi vazhdimi edhe për dy vitet e tjera”, ka thënë Shalaj për Express.
Shalaj, i cili karrierën e ka filluar te skuadra inferiore zvicerane, Dudingen, synon që te skuadra e re të zërë vend në ekipin e parë dhe të luajë sa më shumë që është e mundur.
Ai te skuadra e Luzernit nuk do ta ketë të vështirë të adoptohet pasi aty do të takojë edhe tre bashkëkombësit, Burim Kukelin, Jahmir Hykën dhe Hekuran Kryeziun.
“Jam shumë i lumtur që aty do të kem edhe futbollistë të tjerë shqiptarë. Burim Kukelin e njoh mirë. Ai është futbollist dhe person i shkëlqyeshëm, ndërsa Hykën nuk e njoh ende”, ka theksuar 21-vjeçari.
Shalaj kishte ofertë edhe nga ekipi italian, Genoa, e cila kishte shprehur interesim që ta më transferoj, e më pas ta huazojë tek ekipi nga liga e dytë zvicerane, Lugano, për t’u formuar ende si futbollist.
“Luzernin e kam zgjedhur pasi te ky klub kam parë se do të kem perspektivë më të mirë për të bërë hapa përpara në karrierën time”, ka përfunduar Shalaj.
Me transferimin te Luzerni, Shalaj do ta shtojë në 19 numrin e shqiptarëve që aktivizohen në elitën e futbollit zviceran.
Aktualisht në Axpo Super League luajnë Xherdan Shaqiri, Arlind Ajeti, Granit e Taulant Xhaka (Basel), Adrian Nikçi, Admir Mehmedi (Zurich), Milaim Rama, Muhamed Demiri, Mirson Volina (Thun), Vullnet Basha (Xamax), Florian Berisha (Sion), Amir Abrashi, Imran Bunjaku, Orhan Mustafi, Mërgim Brahimi (Grasshopper), Jahmir Hyka, Burim Kukeli dhe Hekuran Kryeziu (Luzern).