E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konjufca: Nëse pranohet fusnota, Qeveria duhet të jap dorëheqje

Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se referendumi që po mbahet sot, i cili do të vazhdojë dhe nesër në tri komunat në veri të Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ata po ashtu thanë se nëse pranohet fusnota, e cila do të përfaqëson Kosovën në nismat rajonale, Qeveria e vendit duhet të jap dorëheqje.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca të martën gjatë një konference për media, ka komentuar ardhjen e Robert Cooperit në Kosovë, duke thënë se ai ka ardhur për ta bindur delegacionin e Kosovës që të pranojë fusnotën me emrin, nëpërmjet të cilit Kosova do të përfaqësohet në nismat rajonale dhe kjo fusnotë sipas tij përmban Rezolutën 1244, që Qeveria ka kundërshtuar mundësinë që kjo rezolutë të figurojë si fusnotë për nismat rajonale.

“Nëse kjo ndodhë, atëherë Qeveria duhet të jap dorëheqje, sepse së pari po heq dorë nga pavarësia dhe së dyti, sepse e ka gënjyer popullin e Kosovës kur ka thënë se Rezoluta 1244 jo vetëm që nuk do të figurojë, por nuk do ta pranojë fare”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij ky është kompromisi i tetë më radhë që po sjellë Qeveria dhe radha e tetë që po i lëshojnë “pe” Serbisë, prej kur ka filluar negociatat dhe në të gjitha këto marrëveshje është Kosova ajo që është dëmtuar.

Ai komentoi edhe referendumin e strukturave paralele në veri të Mitrovicës, duke thënë se reagimi i Qeverisë ka qenë “që referendum nuk do të ketë efekte”.

“Kjo nuk është qeveri sovrane - ekzekutive, kjo është qeveri e analistëve, ata po na tregojnë se a do të ketë apo nuk do të ketë efekte dhe nuk kanë thënë fare se ky referendum është apo nuk është i ligjshëm, sepse po të thonin që është i pa ligjshëm, kjo i ngarkon me një përgjegjësi veprimi, prej të cilës ata moti kanë hequr dorë”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, ky referendum e dëmton Republikën tonë, sepse këto struktura po krijojnë një pikë reference politike, me të cilën ata do t’i qasen Qeverisë dhe do të kërkojnë negociata politike për veriun.

Konjufca po ashtu paralajmëroi se do të organizojnë demonstrata të mëdha në mbrojtje të Republikës, duke thënë se nëse Qeveria është e gatshme për koncesione për veriun e vendit dhe për Republikën, ajo duhet të bëhet e gatshme edhe për demonstrata masive në Prishtinë.

Kurse, anëtarja e Vetëvendosjes, Aida Derguti njoftoi për arrestimin e aktivistëve të Vetëvendosjes në momentet që po shkruanin parullën “Kosova Republikë” në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, gjatë kohës derisa brenda kësaj ndërtese po mbahej takimi me Robert Kuperin me zyrtarët e lartë të Qeverisë, për siç tha ajo, t’ia hequr Kosovës fjalën Republikë nga emri i shtetit, sepse siç tha ajo kështu ka kërkuar Serbia.

“Ky aksion u pasua nga intervenimi brutal i policisë, me që rast u arrestuan tetë aktivistë”, tha ajo.

Ajo po ashtu u ndal te referendumi që po mbahet në tri komunat veriore të Kosovës, duke thënë se do të përforcojë pozitën e delegacionit serb në negociatat e ardhshme.

“Organizimi i këtij referendumi nuk ka bazë kushtetuese dhe ligjore, prandaj shkelen drejtpërdrejt nenin 1 – paragrafin 1 dhe nenin 2 paragrafin 2, të Kushtetutës”, ka thënë ajo.

Pas përfundimit të konferencës u liruan nga Policia e Kosovës të gjithë aktivistët e Vetëvendosjes, të arrestuar gjatë aksionit të sotëm. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›