E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça, më afër çerekfinales

Barcelona pothuajse e ka ‘prekur’ çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, pasi e fitoi duelin e parë të së tetës së finales në Gjermani ndaj Bayer Leverkusenit me rezultat 3:1. Alexis Sanchez ka realizuar dy gola, ndërsa një tjetër e shtoi Lionel Messi, për ta afruar Barçën me fazën e ardhshme. Në duelin tjetër, Lyoni fitoi minimalisht me APOEL-in.

Barcelona e ka bërë një hap të madh drejt çerekfinales së Ligës së Kampionëve. Skuadra katalunase ka fituar sonte në BayArena ndaj Bayer Leverkusenin me rezultat 3:1, në sfidën e parë të së tetës së finales, në një ndeshje të cilën e dominoi fund e krye.

Në anën tjetër, skuadra gjermane është treguar e pafuqishme karshi kampionit aktual të Evropës.

Sulmuesi Alexis Sanchez ka qenë hero i ekipit mysafir pasi realizoi dy gola, një në pjesën e parë (41’) dhe një në atë të dytë (55’).

Kurse, një tjetër e shtoi Lionel Messi, dy minuta pa përfunduar takimi. Ndërkaq, golin e vetëm për skuadrën vendëse e ka realizuar Kadlec, i cili e barazonte momentalisht rezultatin në minutën e 52-të.

‘Farmaceutikët’ e patën një rast të mirë në minutën e 64-t, kur Gonzalo Castro e goditi shtyllën.

Të njëjtën gjë e bëri edhe Messi, 9 minuta më vonë. Duke e pasur parasysh se ndeshja e kthimit do të luhet në Camp Nou, Barça, e cila i ka fokusuar të gjitha forcat në Champions, pasi ka mbetur shumë prapa Real Madridit në La Liga, shihet si favorite për t’u renditur në mesin e tetë ekipeve më të mira të turneut.

Në duelin tjetër, të zhvilluar sonte, Olympique Lyoni e mposhti APOEL Nicosian me rezultat minimal 1:0 falë golit të shënuar nga Lacazette në minutën e 58-të.

Në këtë çift, gjërat mbeten të hapura për ndeshjen e kthimit.

Liga e Kampionëve

Mbrëmë

Leverkusen – Barcelona 1:3

Lyon – APOEL 1:0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›