E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga dhe Cooper biseduan për dialogun

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti të martën përfaqësuesin e BE-së në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, i ishte i shoqëruar nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe drejtori për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në Shërbimin Evropian për Veprim te Jashtëm, Fernando Gentilini.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e presidentes, njoftohet se Jahjaga dhe Cooper biseduan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështjet e interesit të përbashkët, si dhe për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.

“Presidentja Jahjaga tha se dialogu po zhvillohet ndërmjet dy vendeve të pavarura dhe sovrane dhe në reciprocitet të plotë për të gjitha çështjet. Ajo tha se zgjidhjet që dalin nga dialogu duhet të jenë zgjidhje në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe ato duhet të garantohen nga BE-ja.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se dialogu në Bruksel, me lehtësimin e BE-së, nuk po zhvillohet për statusin e Kosovës, por për çështje teknike, të interesit të përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe adreson çështje konkrete.

Ajo tha se përfaqësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare duhet të bëhet me emrin me të cilin është njohur ajo nga 87 vendet e botës dhe me emrin me të cilin Republika e Kosovës vendos marrëdhënie bilaterale, si shtet sovran dhe i pavarur.

Përfaqësuesi i BE-së në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Robert Cooper, e vlerësoi punën që po bën presidentja Jahjaga. Ai tha se dialogu ka arritur një përparim të caktuar dhe se marrëveshjet kanë filluar të zbatohen gradualisht. Ai u interesua në veçanti për qëndrimin e Presidentes për çështjen e përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Cooper larg syrit të mediave, është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe shefen e delegacionit të Kosovës në negociatat me Serbinë, Edita Tahiri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›