E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqiri paralajmëron bojkot, bën Thaçin përgjegjës për situatën

Nga Express më 01 prill 2011 në ora 20:10

Përgjigja që ka dhënë Gjykata Kushtetuese në pyetjet e dërguara nga Qeveria e Kosovës rreth kuorumit të deputetëve, është pritur mirë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila paralajmëron se do ta bojkotojë seancën nëse do të shkohet me të njëjtën mënyrë të procedimit, sikur në seancën e 22 shkurtit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë të premten se përgjigja e Gjykatës Kushtetuese nuk e ka ndryshuar aspak qëndrimin e LDK-së.

“Asgjë edhe me këtë letër sqaruese nuk ka ndryshuar në qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në atë që e kemi pasur të qartë. Ne të qartë e kemi pasur çdo gjë dhe është qartësuar me letrën. Këto letrat shtesë që i ka kërkuar Qeveria është problem dhe e drejtë e tyre, por ua paskan sqaruar qartë se është e pa objekt kërkesa e tyre për të interpretuar ende problemin e kuorumit e të ngjashme”, ka thënë Beqiri.

Ai ka thënë se përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar e ka kryeministri Hashim Thaçi, ani pse Kushtetuesja nuk ka përmendur emër në vendimin e saj, mirëpo sipas Beqirit, kjo është parë qartë në seancën e 22 shkurtit, kur edhe kryeparlamentari ishte vënë në “siklet” nga presioni i Thaçit ndaj tij dhe deputetëve të tjerë të PDK-së.

Madje, sipas Beqirit, kryeministri Thaçi tashmë dy herë e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, një herë në rastin e Rahovecit dhe herën tjetër në seancën e 22 shkurtit të këtij viti.

“Nëse kërkohet adresa e përgjegjësisë, është tek Hashim Thaçi dhe tek askush tjetër. Prandaj edhe tentimi i sotëm që t’i lihet faji opozitës, edhe nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, është në vazhdën e manipulimit të opinionit, sepse nuk është e vërtetë. Opozita e përdorë metodën e vet demokratike, ligjore që lejon çdo shtet demokratik, për të lëshuar seancën, për çështje politike që mendon se nuk janë në interes as të qytetarëve as të partisë politike”, është shprehur Beqiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka ritheksuar se nuk ka asnjë fuqi që mund t’i shtyjë deputetët të hyjnë në sallë, siç ka thënë ai, për t’i bërë qejfin Hashim Thaçit, ndërkohë që paralajmëron se në rast se do të ketë skenar të njëjtë edhe në seancën e ardhshme LDK-ja do ta braktisë seancën.

“Ne nëse vazhdohet kësisoj dhe tentohet përsëri të bëhet një improvizim dhe shkelet Kushtetuta ne nuk do të hyjmë në procesin e votimit dhe ne nuk do të përkrahim diçka të tillë”, ka thënë Beqiri.

Ai nuk ka dashur të përgjigjet qartë nëse LDK-ja do ta votonte Pacollin në rast se do të kishte një konsensus mes subjekteve politike për ndryshim të Ligjit zgjedhor dhe zgjedhje të parakohshme, por ka thënë se LDK-ja është për konsensus politik dhe për dialog mes spektrit politik.

Ndryshe, ishte LDK-ja partia e cila dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të procedurës së zgjedhjes së Pacollit president në seancën e 22 shkurtit, ndërkaq vendimi i kësaj gjykate ishte që kjo procedurë ishte jo kushtetuese.

Ndërkohë, gjykata në këtë vendim ka rekomanduar deputetët e opozitës që të kryejnë obligimin e tyre kushtetues dhe të jenë të pranishëm në seancë, mirëpo, edhe në përgjigjen tjetër që i ka dërguar Qeverisë rreth kësaj çështje, e ka bërë të qartë që presidenti nuk mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë në dy rundet e parë kur kjo mund të bëhet vetëm me dy të tretat e deputetëve të numrit të përgjithshëm të deputetëve./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›