E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: “Buxheti 2010, më i dobëti në 18 vitet e fundit”



Partia Socialiste kritikon ashpër buxhetin e shtetit për vitin 2010, i cili pritet të miratohet sot nga maxhoranca në Kuvend. Deputeti socialist Ilir Beqja deklaroi dje në një konferencë për shtyp se ky buxheti është plot me lajme të këqija për shqiptarët. Sipas Beqjes, buxheti është më i dobëti në 18 vitet e fundit, pasi shënon rritjen më të ulët të shpenzimeve që nga viti 1991 dhe që është vetëm 2.4%. Deputeti socialist theksoi se ky buxhet nuk i ndihmon aspak të papunët, familjet me ndihmë ekonomike, investimet në shëndetësi etj. “Lajmi më i keq është se për herë të parë që nga viti 1991 shpenzimet rriten me vetëm 2.4%. Kjo është rritje më e vogël se inflacioni prej 3% që vetë qeveria parashikon për vitin 2010. Pra, për herë të parë që nga viti 1991, buxheti i shtetit nuk ka rritje reale për familjet shqiptare apo investime publike për ekonominë shqiptare. Shtesa në buxhet me vetëm 107 milionë dollarë është më e ulët edhe se shtesa në vitin 2004, edhe se shtesa në vitin 2005. Por dhe kjo shtesë do të shpenzohet për 74 milionë dollarë më shumë interesa borxhesh se në vitin 2009 dhe 35 milionë dollarë më shumë shpenzime operative se në vitin 2009. Lajm të keq sjell ky buxhet për të papunët shqiptarë. Pagesa e papunësisë do të ketë 5% më pak fonde se në vitin 2009. Lajm të keq ky buxhet sjell për familjet në ndihmë ekonomike. Me fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2010 ndihma ekonomike do të mbetet më e vogël se 5 mijë lekë në muaj. Lajm të keq ky buxhet sjell për të shëndetin e të gjithë shqiptarëve. Për shqiptarët e siguruar, shpenzimet për sigurimet shëndetësore do të rriten vetëm me 7%. Ndërsa për 800 mijë shqiptarët që nuk janë në gjendje të paguajnë sigurimet shëndetësore, tarifat e shërbimit shëndetësor janë pesëfishuar që në një muaj më parë. Vetëm një qeveri e pakicës mund të jetë kaq shumë kundër interesave qytetarëve të vendit të saj”, - deklaroi Beqja.

26 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›