Rama: “Berisha, i rënduar mendërisht, nuk ka rrugë tjetër veçse të hapë kutitë”
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka cilësuar si shenja dëshpërimi deklaratat e kryeministrit Berisha, i cili tha se do t’i shkulë dhëmbët dhe dhëmballët opozitës. Rama deklaroi dje në një konferencë për shtyp se kjo deklaratë e kryeministrit të bën të kuptosh se ku ka rënë niveli i demokracisë dhe i qeverisjes në Shqipëri. Për kryesocialistin Edi Rama, kryeministri Sali Berisha nuk ka asnjë rrugëzgjidhje përballë kërkesës së ligjshme të opozitës dhe Partisë Socialiste në veçanti për hapjen e kutive të votimit. “Ne i bëjmë thirrje të qetësohet, të hapë kutitë e votimit, të bëjmë së bashku hetimin e plotë, transparent, zgjedhjeve të 28 qershorit dhe të hapim të gjithë bashkë një kapitull të ri, duke e çliruar Parlamentin nga pesha e rëndë e mëkatit të zgjedhjeve të vjedhura. Rrugë tjetër nuk ka dhe historia, e vjetër dhe e re, mëson se sa më shumë pushteti i kërcet dhëmbët popullit të vet, aq më shpejt i bien dhëmbët përpara fuqisë së vetë popullit.
Reagimi
Kryetari i PS-së Edi Rama iu kundërpërgjigj kryeministrit Berisha se nëse është i vendosur për të shkulur dhëmbët dhe dhëmballët e korrupsionit, atëherë ai më parë duhet ta nisë këtë operacion duke filluar nga ministrat e qeverisë së tij dhe deri te familja e tij. “Dhe në qoftë se Sali Berisha thotë nuk e kam me opozitën, por me dhëmbët e dhëmballët e korrupsionit, ne i përsërisim se në qoftë se ka vërtet vullnet për t’i shkulur ato, i duhet të shkulë ministrat e tij nga karriget e tyre, duke filluar nga zëvendësi i vet, pastaj i duhet të shkulë familjen e tij prej poshtë tavolinës së qeverisë dhe, në qoftë se do me gjithë mend ta çojë deri në dhëmballën e fundit këtë operacion të dhimbshëm, i duhet të shkulë vetveten nga karrigia e kryeministrit. Dikur Enver Hoxha thoshte rëndom sedo t’u shkulim dhëmbë e dhëmballë armiqve të revolucionit. Një kryeministër që sot, në mes të Europës, ëndërron darën në dorë për të shkulur dhëmbët e dhëmballët e opozitës, madje as nuk e fsheh këtë ëndërr të dhunshme enveriane, është një turp i madh për vendin e tij, për popullin e tij, për vetë Europën”, - u shpreh Rama.
Mitingu
Kryetari i Partisë Socialiste foli gjithashtu edhe për mitingun e 8 dhjetorit që do të organizojë qeveria dhe Partia Demokratike. Rama tha se ky antimiting u përngjan antimitingjeve që organizonin regjimet diktatoriale në Ukrainë, Gjeorgji, në Shqipëri etj., përballë lëvizjeve popullore për demokracinë. “Kur shqiptarët kurajozë kapërcyen muret e ambasadave, diktatura komuniste e Ramiz Alisë dhe Sali Berishës organizoi një miting gjigant me lista nëpunësish e punëtorësh të shtetit për të treguar se popullin e kishte me vete. Të njëjtën gjë bënë edhe diktaturat e tjera komuniste në Lindje kur qytetarë protestues nisën të kërkonin liri e demokraci. Antimitingje të stërmëdha shtetërore u organizuan për të nënshtruar psikologjikisht popullin protestues, duke bërë në fakt efektin e kundërt. Njësoj veproi më vonë edhe pushteti që vodhi votat në Ukrainë, kur opozita doli në rrugë për të kërkuar ribërjen e zgjedhjeve. Asnjë ndryshim edhe në Gjeorgji e gjetkë, kur regjime të korrupsionit e të manipulimeve zgjedhore si ky i yni u përballën me fillimet e protestës popullore duke organizuar antimitingje shtetërore.
Sali Berisha e quan festë dhe do të nxjerrë sërish nga arka e buxhetit të të gjithë shqiptarëve para të madhe për të mbytur me këngë e valle zërin e protestës opozitare, pikërisht në kujtim të një dite kur zëri opozitar shqiptar u ngrit kundër këngëve e valleve të regjimit komunist të Saliut”, - u shpreh Rama.
Rama: “Prokuroria të sqarojë pse nuk po nis hetimet për rrugën Durrës-Kukës”
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama kërkoi sqarime nga Prokuroria se përse po heziton të nisë hetimet për denoncimet që i janë bërë rrugës Durrës-Kukës, ku përveçse shembjes së tunelit, tashmë janë konstatuar edhe shembje të shtratit të rrugës. “Në emër të opozitës shqiptare kërkoj publikisht shpjegimin e Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me mosmarrjen, ende sot e gjithë ditën, të hapit për të hetuar batërdinë që po ndodh rrugën Durrës – Kukës, ku përveç shembjes së pranuar zyrtarisht të tunelit, po vihen re shenja shembjeje në pjesë të shtratit të rrugës. Çfarë pret Prokuroria për të marrë provat në vend dhe për të hetuar arsyet e këtyre shembjeve? Heshtja e zgjedhur prej saj për këtë çështje është e pajustifikueshme dhe zgjatja e kësaj heshtjeje bëhet fajësuese për organin e akuzës, i cili është pa dyshim nën një presion të madh, thuajse mafioz, për të mbyllur sytë para malit të skandaleve të këtij pushteti, por nuk mundet në asnjë mënyrë të braktisë rolin e vet kushtetues e ligjor”, - u shpreh Rama.
Jaku: “Nuk kam deklaruar hyrjen në Kuvend”
Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Gjok Jaku, ka hedhur poshtë disa raportime në media, sipas të cilave deputeti në fjalë kishte deklaruar në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar të PS-së se do të thyente bojkotin dhe se do të hynte në Kuvend. Me anë të një deklarate për shtyp, deputeti socialist ka theksuar se vijon të respektojë vendimin e Grupit Parlamentar të PS-së për të bojkotuar dhe për të vazhduar protestat deri në hapjen e kutive të votimit. “Unë, deputeti i qarkut Lezhë, Gjok Jaku, përgënjeshtroj në mënyrë të prerë të gjithë abuzimet e turpshme të shtypit të ditës së sotme, të bëra në emrin tim. Konfirmoj se i mbetem qëndrimit të Grupit Parlamentar të PS-së për të mos hyrë në Kuvend dhe vazhdimin e protestave sipas axhendës politike të socialistëve. Lajmet e trilluara për personin tim dhe gjoja qëndrime të mia brenda mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së nuk kanë asgjë të vërtetë me atë çka unë kam diskutuar në këtë mbledhje”, - thuhet në deklaratën për shtyp të deputetit Jaku.
26 Nentor 2009