Qerimaj, i shtati në botë
Erkand Qerimaj u rendit i shtati në botë në kategorinë e peshës deri në 77 kg në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po zhvillohet në Korenë e Jugut. Qerimaj ngriti në dygarësh 349 kg, në shkëputje ngriti 156 kg, ndërsa në shtytje 193 kg. Romela Begaj të hënën zuri vendin e katërt në botën në kategorinë e peshës deri në 58 kg. Begaj ngriti 97 kg në shkëputje dhe 112 kg në shtytje. Peshëngritësi i fundit shqiptar që garon në Gojang është Ervis Tabaku.
Kupa, turi i dytë
Sot do të luhen ndeshjet e para të turit të dytë të edicionit të 58-të të Kupës së Shqipërisë. 16 skuadrat e kualifikuara në turin e dytë të Kupës janë Tirana, Dinamo, Shkumbini, Besa, Kastrioti, Besa, Lushnja e Laçi nga grupi A dhe Vllaznia, Teuta, Flamurtari, Apolonia, Skënderbeu, Gramozi, Kamza dhe Partizani nga grupi B.
Skënderbeu i Korçës do të përballet me Apoloninë e Fierit
TURI I DYTË
GRUPI A
Lushnja-Tirana
Bylis-Dinamo
Kastrioti-Shkumbini
Laçi-Besa
GRUPI B
Kamza-Vllaznia
Partizani-Teuta
Gramozi-Flamurtari
Skënderbeu-Apolonia
Gripi, Riberi në karantinë
Sulmuesi francez i Bajernit të Munihut, Frank Riberi, është futur në karantinë për të shmangur rreziqet në lidhje me një infektim të mundshëm nga virusi i gripit të derrit. Gruaja e lojtarit është me grip dhe klubi gjerman dëshiron që Riberi të shmangë kontaktet direkte me shokët e skuadrës.
20 mijë euro për humbjen
Çdo ditë po publikohen ndeshjet që kanë qenë në qendër të skandalit të basteve në Gjermani. Një ndeshje midis SC Verl, Regionalliga, u shit për 20 mijë euro për të humbur 0-1 me 1. FC Köln II në ndeshjen e fundit të sezonit. Në total janë 200 ndeshje me rezultat të manipuluar, 32 prej të cilave në Gjermani.
Vdes boksieri Francisco Rodriguez
Boksieri meksikan, Francisco Rodriguez, 25 vjeç, vdiq dy ditë pas goditjeve të marra në ndeshjen e vlefshme për titullin e peshave të mesme të Federatës Amerikanjugore. Rodriguez, profesionist nga viti 2005, mbeti pa ndjenja në raundin e 10-të në ndeshjen kundr Teon Kennedy të zhvilluar në Filadelfia.
Interi, skuadra më e ndjekur
Interi është skuadra më e ndjekur nga tifozët në Itali. Për të parë kampionët e Serisë A mesatarisht kanë qenë në stadium 51.372 shikues për ndeshje. Mesatarja në Itali është 24.002 shikues për ndeshje. Përfundimi ka dalë nga një analizë e kryer nga Qendra e Studimeve e Lega Calcio.
Trukimet, polica kroate nis hetimet
Policia kroate hapi një hetim zyrtar për të verifikuar zërat mbi ndeshjet e trukuara në futbollin vendas pasi një rrjet i organizuar mirë operonte në nëntë vende të Europës. Në Kroaci janë 14 ndeshje të dyshuara nga 200 në total. Policia kroate bëri të ditur se kishte arrestuar sllovenin Dragan Miheliç të kërkuar nga drejtësia gjermane.
25 Nentor 2009