E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kretë, shkohet në hell shqiptari

29/04/2010 Masakra në qytetin e Haniase. Shqiptari: U vrava në tualet. Në gjendje të rëndë

Policia heton në tre pista, borxhi, lidhja me një vajzë greke dhe racizmi

GREQI- Një 35-vjeçar shqiptar ka rënë pre e dhunës ekstreme të disa të rinjve grekë, të cilët pasi e kanë rrahur dhe përdhunuar, kanë vendosur që trupin e shqiptarit ta pjekin në hell. Ngjarja e paprecedentë që ka tronditur mbarë opinionin publik, është regjistruar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Haniase që ndodhet në ishullin e Kretës, ku 35-vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia helene, jetonte dhe punonte prej vitesh si emigrant ekonomik. Agjentë të policisë greke kanë filluar hetimet për ngjarjen, por që deri më tani nuk kanë asnjë person të dyshuar pasi, në momentin e krimit s’ka pasur dëshmitarë prej të cilëve policia do mësonte karakteristikat dhe veçoritë identifikuese të autorëve. E vetmja shpresë për policisë dhe Prokurorinë e Kretës, është shpëtimi i jetës së 35-vjeçarit, i cili aktualisht është në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Haniase. Prej disa orësh mjekët kanë kryer disa operacione mbi trupin e të riut shqiptar, ku shpresohet se nga përmirësimi i shëndetit të tij, policia mund të identifikojë autorët e ngjarjes. Agjencitë e lajmeve greke që i referohen ekspertit mjeko-ligjor që ka këqyrur trupin e të riut shqiptar, tregojnë se 35-vjeçari është keqtrajtuar barbarisht dhe më pas përdhunuar nga grekët. Gjatë rrahjes, mësohet se shqiptari ka humbur ndjenjat dhe në këto kushte të rinjtë grekë, i kanë futur një dru nga prapa shpinës. Druri ka depërtuar në organet gjenetiale, pjesët e brendshme të barkut dhe më pas ia kanë nxjerrë midis gjoksit dhe qafës. Autorët kanë vendosur ta pjekin në hell, por një gjë të tillë më pas nuk e kanë kryer. Nuk dihet me saktësi motivet dhe rrethanat që kanë sjellë ngjarjen e rëndë, por hetuesit e çështjes mendojnë se sherri mund të ketë ardhur si pasojë e ndonjë grindje banale ose për shkaqe raciale. Gjatë transportimit të tij në spital mësohet se shqiptari ka deklaruar nëpër dhëmbë se ishte dëmtuar në tualetin e shtëpisë, por nuk u besua nga policët. Pacienti ka pasur temperaturë të lartë dhe më pas i është nënshtruar sërish një seri ekzaminimesh dhe operacionesh. Sipas kirurgëve, pacienti ka dëmtime të rënda në mëlçi, mushkëri dhe në organe të tjera. Sipas policisë, e cila ka nisur hetimet e menjëhershme, 3 pistat e hetimit janë se: shqiptari të jetë bërë pre e një hakmarrje nga të afërmit e të dashurës së tij, të cilën e kishte braktisur, ndërsa pista e dytë është borxhi i lartë që kishte. Ndërkohë që pista e tretë lidhet me origjinën e të dëmtuarit, si pasojë e të cilit ai mund të ketë rënë preh e dhunës raciale.

Dhunë me shqiptarët në Greqi

2007

Policia e Follorinës ekzekuton me armë zjarri shqiptarin Ilmi Gjata nga Dibra. Ky i fundit ishte duke kaluar në rrugën kombëtare “Aminda”, e cila lidh qytetin e Follorinës me Selanikun. Ai ishte duke ecur në këmbë, kur policia bëri thirrje që ai të ndalonte. Thirrjes së tyre nuk ju bind shqiptari, të cilët më pas hapën zjarr duke e vrarë në vend.

2008

Çajup Qijvani nga Ksamili i Sarandës është ekzekutuar nga persona të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Patisia” të Athinës, pikërisht në kryqëzimin e rrugëve “Pindu” dhe “Ipolitu”, shumë afër sheshit “Omonia”. Viktima 62-vjeçar ishte qëlluar dy herë në kokë me armë zjarri dhe ka dhënë shpirt pa mundur të mbërrijë në spital.

2009

Policia greke ka vrarë një emigrant shqiptar, si dhe ka plagosur një tjetër, pasi dyshoheshin se ishin pjesë e një grupi që kryente vjedhjen e supermarketeve dhe bizneseve të ndryshme në Greqi. Policia e Athinës bëri të ditur se operacioni ka ardhur si rezultat i vjedhjeve të shumta që kanë ndodhur kohët e fundit në këtë vend.

2010

Më 31 mars të 2010 shqiptari Lulzim Kago është rrahur barbarisht nga të burgosurit në burgun e Korfuzit. Shkak i kësaj grindjeje ka qenë një debat i hapur mes shqiptarit dhe grekëve, i cili u ka bërë me dije këtyre të fundit se ushtria e tyre i kishte ofenduar shqiptarët. Si pasojë e goditjeve të forta 28-vjeçari Lulzim Kago ka humbur jetën në spital.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›