E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Reforma zgjedhore po shkon drejt zgjidhjes

“Ne kemi bërë të gjithë përpjekjet për kompromisin më të gjerë të mundshëm dhe në tërësi tematika duket se po shkon drejt zgjidhjes. Për sa i përket propozimit që projekti pilot të kapë rreth 20% të zgjedhjeve ne duhet të përcaktojmë rregullat për rastet e jashtëzakonshme të një defekti në kompjuter. Pra kemi rënë dakord për përqindjen e projektit dhe kemi edhe disa pika për të diskutuar”, tha Berisha.

“Çështje tjetër madhore që është në diskutim është çështja e imunitetit. E ftoj z. Rama të mbështesë heqjen e imunitetit. Unë e kuptoj që kundër këtij vendimi janë ata që kanë frikë për veten e tyre, dhe frikë kanë ata që përzihen në gjera që nuk duhet të përzihen. Ndërsa pretendimet e publikuara në media janë të palogjikshme. Të pretendosh që të zgjidhet gjyqtari me 3/5 ndërkohë që Presidenti zgjidhet me 50+ 1 të vota është të tallesh me procesin. Uroj që raportimet në media të mos jenë të vërteta”.

Takimin e sotëm të Grupit Parlamentar, Berisha e nisi duke folur për rritjen e rrogave dhe pensioneve.
“Rritja e rrogave përbën përmbushjen e një prej premtimeve më madhore tonat. Me këtë rritje qeveria shqiptare mbetet një nga të paktet në Evropë dhe në botë që ndërmerr një veprim të tillë. Vlen të theksohet se kjo rritje nuk realizohet nëpërmjet marrjes së borxheve”, tha Berisha.

Kryeministri më tej kujtoi se Greqia këto ditë ka marrë vendim për të reduktuar me 40% rrogat dhe pensionet. “Me këtë rritje, Shqipëria lë prapa në shumën e rrogës mesatare dy vende të Bashkimit Evropian ndërsa vitin që vjen duket se do të lërë prapa edhe më shumë”.

“Sipas raporteve në vitin 2011 Shqipëria ka marrë investime të huaja plot 1 miliard e 30 milionë dollarë, më shumë se çdo vend i rajonit. Kjo shumë përkthehet në dhjetëra mijëra vende pune, pasi një vend pune ndërtohet me dhjetëra mijëra euro. Po t’i shtojmë kësaj edhe dyfishin e kësaj shume që investohet nga biznesi vendi, na tregon se në Shqipëri ka një ulje të moderuar të papunësisë”.

“Vitin e ardhshëm në Shqipëri me shumë gjasa do të bëhen dy investime gjigante me nga më shumë se një miliardë euro. Njëri ka shumë mundësi të bëhet në kuadër të projektit TAP, ndërsa tjetri që është i sigurt ka të bëjë me kaskadën e Devollit”./Start/

                                                                                             2012-07-09 13:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›