E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shpreh angazhimin për bashkëpunim të gjerë me fqinjët

Sipas kryeministrit, “për vite me radhë ka pasur një ndrojtje, një hezitim dhe dyshim për dialogun dhe bashkëpunimin ndërshqiptar...Organizimi i kësaj konference është një akt i rëndësishëm, sepse shqiptarët vijnë në këtë 100 vjetor si një komb, aktualisht i lirë kudo që ata janë. Kjo përbën arritjen më të madhe historike të tyre. Vijnë si një komb që në momentet kritike të ekzistencës së tij nga Lidhja e Prizrenit, ka ditur që me stilin e qytetëruar të qëndrojë së bashku. Këto janë dy nga arritjet më të mëdha historike...Por a janë shqiptarët një komb i ndarë dhe a duhet të punojnë me intensitet për të superuar ndasitë e tyre? Ka qenë shumë e thellë ndarja që imponoi diktatura komuniste në Shqipëri. Kjo diktaturë dhe perdja e hekurt thelloi ndarjen më tej, dhe lidhja mes trevave shqiptare mbeti vetëm infrastruktura e ndërtuar në kohën e perandorisë austro-hungareze”.

“Edhe bashkëpunimi ndërshqiptar në rrafshin ekonomik mund të shndërrohet sërish në një faktor të rëndësishëm të zhvillimit rajonal”, tha Berisha, duke shtuar se, “shqiptarët janë sot të lirë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi dhe kanë një projekt madhor për të ardhmen e tyre.

     "Shqiptarët kanë 1 mijë e një arsye për të pasur një dialog konstant, një debat konstat të vlerave të përbashkëta kombëtare që ata ndajnë. Kultura është e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe burimi kryesor është bashkëpunimi kulturor i cili ushqen indentitetin e një kombi. Asnjëherë ne nuk kemi pasur probleme me identitetin, por ai duhet të kurohet dhe të trajtohet dhe rruga më e sigurtë është ajo kulturore. Në këtë kontekst bashkëpunimi ndërkulturor është një kusht i rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e tyre”, theksoi Berisha.

Kryeministri Berisha theksoi më tej se, shqiptarët kudo që ndodhen duhet të angazhohen në projekte të mëdha të cilat nuk i shërbejnë vetëm kombit shqiptar por të gjithë rajonit. “Shqiptarët duhet të angazhohen në projekte të mëdha pasi ato janë projekte rajonale. Dhe në këtë mënyrë i shërbejnë jo vetëm fqinjësisë shqiptare, por asaj rajonale në tërësi, sepse nga këto projekte përfshihen të gjitha kombet e rajonit” tha Berisha.

     “Asnjë komb në të shkuarën nuk ka përjetuar padrejtësira dhe dhimbje të mëdha sa kombi ynë, por është kombi që mbështet më shumë integrimin në BE, si të ardhmen më të mirë për të. Arritjet e shqiptarëve janë madhore dhe historike, por përsëri ka rrugë për t’u bërë dhe përshkrimi i kësaj milje drejt BE ka një rëndësi të madhe, ashtu sikurse drejt NATO-s për Kosovën dhe Maqedoninë e Malin e Zi. Ka rëndësi të madhe për çdo shqiptar, po ashtu edhe çlirimi i fqinjëve tanë nga doktrinat e vjetra raciste, ksenofobiste antishqiptare”, tha Berisha.

Ai solli në vëmendje edhe zgjedhjet serbe në Preshevë, duke theksuar se ishin të ngjashme me ato në vitet '50, apo me ekspeditat e Millosheviçit kundër shqiptarëve të bazuara në frikën dhe urrejtjen ndaj tyre. “Shqipëria bashkëpunon ngushtë me fqinjët në luftën kundër kriminalitetit, për vendosjen para drejtësisë së kriminelëve, por nuk pranojnë skena të atilla”, shtoi Berisha./Start/

                                                                                             2012-07-09 11:13
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›