E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: “INSTAT-i, vegël e Berishës, PS-ja do të ngrejë padi penale”



Akuzat e kryetarit të Partisë Socialiste ndaj Institutit të Statistikave kanë ngjallur reagimin e menjëhershëm të drejtoreshës së këtij instituti, Ines Nurja. Opozita e ka akuzuar INSTAT-in se është shndërruar në një vegël të kryeministrit Sali Berisha, pasi publikon shifra të rreme për rritjen ekonomike, çmimet etj. Por, nga ana tjetër, drejtuesja e këtij institucioni i ka bërë thirrje PS-së që fillimisht duhet të konsultohet me shifrat dhe metodologjinë e nxjerrjes së tyre dhe më pas të bëjë deklarata. Reagimi i drejtueses së këtij institucioni është pasuar nga deputeti Ilir Beqja, i cili deklaroi se PS-ja do të bëjë një padi penale ndaj INSTAT-it.
PS-ja
Sipas deputetit Beqja, INSTAT-i nuk u tregon qytetarëve të vërtetën me publikimin e shifrave të saj. “INSTAT-i nuk u tregon shqiptarëve se sa është papunësia, të paktën ajo zyrtare, në vitin 2009. Rasti më i fundit dhe më skandaloz është loja me inflacionin. Instituti i Statistikave humbi edhe sot rastin të shpjegojë botërisht pse më 8 shkurt e shpalli inflacionin e muajit janar 3.6% dhe më 8 mars, po për inflacionin e muajit janar, deklaroi se është 4.1%”, - u shpreh Beqja. Ai vlerësoi se informacioni statistikor është e mirë publike dhe detyrim publik.
INSTAT
Drejtuesja Nurja, në shkëmbim të akuzave të PS-së, ka nënvizuar se INSTAT-i duhet të vlerësohet për arritjet e tij. “Kohët e fundit INSTAT-i është vendosur përballë disa akuzave politike duke cenuar rëndë punën e këtij institucioni. Për këtë arsye e ndiejmë për detyrë t’i shpjegojmë njëherë e mirë publikisht klasës politike që ne jemi transparent në punën që kryejmë”, - u shpreh Nurja. Për të qartësuar akuzat e bëra nga PS-ja, Nurja i ka ftuar gjithë drejtuesit, analistë, apo çdo individ që hedh dyshime mbi shifrat e INSTAT-it. Por, mbi të gjitha, i ka bërë një ftesë PS-së për të njohur statistikat e këtij instituti dhe më pas PS-ja të bëjë një deklaratë ‘të pamatur’ në lidhje me punën e këtij institucioni duke cenuar rëndë imazhin e tij. “Puna që bën ky institucion nuk mund të vlerësohet nga dëshirat e politikanëve, çfarëdo spektri qofshin ato, dhe për të theksuar dhe njëherë që INSTAT-i nuk prodhon politika, INSTAT-i prodhon statistika", - tha Nurja. Edhe ish-zv.ministri i Financave, Florian Mima, aktualisht deputet i PD-së, e akuzoi kreun e selisë rozë se qëllimisht do të godasë besueshmërinë e INSTAT-it, duke dhënë gjithashtu shifra për atë që qeveria e quan situatë të mirë të ekonomisë vendase. “Zoti Rama tentoi të vriste një nga asetet më të vyera të këtij kombi, besueshmërinë dhe vërtetësinë e të dhënave zyrtare, prodhuar në mënyrë të ndershme, të ligjshme dhe transparente nga një trup i pavarur, profesionist dhe me integritet, që është Instituti i Statistikave të Republikës së Shqipërisë. Nuk është faji i institutit që eksportet po dyfishohen, që punëdhënia po rritet dita-ditës dhe papunësia po ulet ndjeshëm, faji është i një njeriu të vetëm që do t’i shohë shqiptarët pa viza, pa punë, pa mirëqenie. Puna e tyre materializohet në një rezultat që është pronë e popullit shqiptar dhe përbën certifikatën më të mirë përballë të gjithë pjesës tjetër të botës”, - Mima.

15 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›