E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: “Korrupsioni, Shqipëria renditet pas Ruandës dhe Ugandës”



Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, ka bërë përgjegjës kryeministrin Sali Berisha që raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit e ka renditur Shqipërinë në listën e zezë të vendeve më të korruptuara, si Ruanda e Uganda. Sipas tij, maxhoranca është përgjegjëse jo vetëm pse nuk e ka luftuar përhapjen masive të korrupsionit, por, mbi të gjitha, është përgjegjëse se ka kontribuuar aktivisht që metastazat e korrupsionit të përhapen edhe në shtresat më të larta të pushtetit. “Tashmë opozita, shumica e shqiptarëve, por edhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë që monitorojnë zhvillimet në vendin tonë, vlerësojnë se Shqipëria është zhytur e po zhytet gjithmonë e më shumë në korrupsion qeveritar dhe kapilar”, - u shpreh Tahiri. Duke iu referuar raportit të DASH-it, Tahiri tha se ai vlerëson se Policia e Shtetit ka performancë mjaft të dobët për shkak të korrupsionit, rekrutimit të militantëve dhe sjelljes joprofesionale. Ndërkaq, procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave dominohet nga korrupsioni dhe informaliteti. “Raporti vlerëson se korrupsioni qeveritar, pra jo korrupsioni në tërësi, por korrupsioni qeveritar, mbetet pengesa kryesore për reformat themelore në vend. Raporti nuk lë pa përmendur me emra të përveçëm as ministrat e kabinetit qeveritar, që pikërisht pse kanë imunitet, nuk dalin para Drejtësisë për veprat që kanë konsumuar”, - vuri në dukje Tahiri.

15 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›