E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Nuk do të lejojmë që drafti për SHISH-in të miratohet në Kuvend”



Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët në qytetin e Korçës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kundërshtuar miratimin e projektligjit për Shërbimin Informativ të Shtetit.
Drafti për SHISH-in ka hasur në kundërshtimin edhe të ndërkombëtarëve, të cilët i kanë bërë thirrje të herëpashershme qeverisë që të mos e miratojë, por fillimisht duhet të shqyrtohet nga ekspertë ndërkombëtarë. Por, me sa duket, kryeministri Sali Berisha dhe maxhoranca e tij i kanë injoruar të gjitha kritikat, të cilat dëshmojnë se kreu i Ekzekutivit kërkon të cenojë pavarësinë e shërbimin sekret në favor të tij. Partia Socialiste nga ana e saj ka paraqitur dhe i ka bërë publike shtatë amendamentet për SHISH-in mbi propozimet e maxhorancës. Sipas PS-së, ndryshimet e propozuara nga PD-ja nuk janë të domosdoshme, pasi ligji aktual nuk e pengon shërbimin sekret që të merret me mbledhjen e informacioneve dhe përgatitjen e tyre për qeverinë nëse ka një kërkesë nga ana kryeministrit ose dhe nga presidenti. Me ndryshimet e propozuara, sipas socialistëve, SHISH-i kthehet në një zëvendësues të institucioneve të tjera. Sipas selisë rozë, vendosja e afatit kohor për mandatin e drejtorit të Shërbimit bëhet me qëllimin e vetëm të zëvendësimit të tij me ndonjë tjetër që të merret dhe drejtohet siç e dëshiron ai që po e propozon.
Reagimi
Kreu i PS-së deklaroi se miratimi i projektligjit të SHISH-it do të cenojë imazhin e Shqipërisë në botë. “Opozita nuk është numra, opozita është kauzë dhe në kushtet kur kërkohet të miratohet një ligj që cenon drejtpërdrejt interesin publik të shoqërisë sonë, cenon drejtpërdrejt interesin e çdo qytetari për të qenë i sigurt në vendin e vetë, cenon drejtpërdrejt dhe interesin kombëtar të këtij vendi në marrëdhënie me partnerët e vet të mëdhenj, atëherë çdokujt, dhe opozitës në radhë të parë, i lind e drejta që ta bllokojë këtë cenim dhe kërcënim të hapur me çdo mjet”, - u shpreh Rama. Megjithatë, Rama shprehu vendosmërinë e opozitës për të mos lejuar miratimin e këtij drafti në Kuvend.
“Ne nuk do ta lejojmë Kuvendin ta miratojë këtë ligj. Kaq mund t’ju them tani”, - u shpreh Rama. Kreu socialist u shpreh se i bashkohet qëndrimit të ambasadorit amerikan në Shqipëri, John Withers, sipas të cilit, këto ndryshime e çojnë Shqipërinë në rrugë të gabuar”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “në kushtet kur kërkohet të miratohet një ligj që cenon interesin publik të shoqërisë, cenon interesin kombëtar të këtij vendi në marrëdhënie me partnerët e mëdhenj, atëherë çdokujt i lind e drejta që ta bllokojë këtë cenim dhe kërcënim të hapur me çdo mjet”.
Kritikat
Pasi projektligji për shërbimin sekret ka gjetur miratimin në fshehtësi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, reagimet kanë ardhur jo vetëm nga opozita, por edhe ekspertët ndërkombëtarë. Ndryshimet që u kërkuan të bëhen në projektin e miratuar nga qeveria prekin katër nene të ligjit aktual. Ato kanë të bëjnë me; detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror; me detyrat e drejtorit të SHISH-it; me afatin e qëndrimit në detyrë të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it; si dhe me bashkëpunimin e SHISH-it me shërbimet e informacionit të vendeve partnere. Kundërshtimet e ndërkombëtarëve nisin që me mandatin 5-vjeçar të drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe deri te format e reja të varësisë që propozon projektligji. Ekspertët e huaj që monitorojnë reformën ligjore ngrenë shqetësimin se ky institucion i sigurisë kombëtare rrezik të bjerë në varësi politike.

Box
SHTATË PROPOZIMET E PS-së

1. Amendamenti i nenit 3, ku SHISH-i ngarkohet me detyrë të mbrojë sigurinë kombëtare, është i gabuar dhe antikushtetues, pasi këtij shërbimi nuk i jepen mjete ligjore për një funksion të tillë.

2. Amendamenti tjetër i këtij neni, ku SHISH-i mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, është i panevojshëm, pasi ligji ekzistues nuk e pengon këtë shërbim të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj të veprimtarisë kriminale. Një shtesë e tillë e deformon objektin e punës së SHISH-it.

3. Propozimi tjetër për t’u shtuar në paragrafin c të këtij neni, se SHISH-i ngarkohet me detyrë të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit për parandalimin e krimeve të rënda, është edhe më i panevojshëm, formal dhe me pasoja negative. Ai synon ta vendos SHISH-in në varësinë e Policisë.

4. Është absurde edhe shtesa në paragrafin D, ku SHISH-i ngarkohet të mbledhë, me miratim të kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera.
Ky propozim e komprometon rëndë pozitën e kryeministrit, pasi ai kërkon të marrë kompetencat e drejtorit të SHISH-it.

5. Amendamenti, ku SHISH-it i ngarkohet detyrë të certifikojë personat sipas përcaktimeve ligjore, është shumë i përgjithshëm, lë vend për interpretim të zgjeruar, bie ndesh me ligjin “Për informacionin e klasifikuar”, si dhe krijon paqartësi në shërbim, në publik dhe administratë.

6. Është i paargumentuar dhe i pavend edhe amendamenti i bërë në nenin 5, paragrafi A, ku drejtori i SHISH-it është përgjegjës për operacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit. Formulime të tilla, përveç të tjerash, tregojnë edhe inkompetencë të theksuar profesionale të hartuesve të këtij projekt ligji. Termi “operacion” për SHISH-in nuk është ligjor.

7. Vendosja e afatit të qëndrimit në detyrë prej pesë vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe një herë, të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it, tregon qëllimin e vetëm dhe të vërtetë të këtij projektligji në plotësim të dëshirave të z. Berisha. Ai, edhe në bazë të ligjit aktual, i ka të gjitha të drejtat për të ndërprerë qëndrimin në detyrë të drejtorit të SHISH-it dhe zëvendësit të tij.

15 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›