Markoviç: “Vizita e Metës, garanci për marrëdhënie të mira mes dy vendeve”
Ministri serb për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjen Vendore, Milan Markoviç, gjatë vizitës me zëvendëskryeministrin shqiptar Ilir Meta në Preshevë, ka deklaruar se me diplomatin shqiptar është rënë dakord që të punohet më shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. “Ne do të punojmë për të ardhmen që ata të kenë një jetë më të mirë. Dhe siç biseduam me z. Meta gjatë 4 orëve rrugë nga Beogradi deri këtu, kemi prekur të gjitha temat që janë me interes dhe kemi rënë dakord se do të angazhohemi që gjithçka të bëhet më mirë. Mendoj se kjo vizitë e zotit Meta është një kontribut sidomos për marrëdhëniet më të mira të Shqipërisë dhe Serbisë”, - ka ministri Serb. Ai ka vlerësuar dhe vizitën e Metës për marrëdhëniet mes dy vendeve. “Nuk ka dyshim se kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë dhe mendoj se gjithçka po bëhet në mënyrë që marrëdhëniet Tiranë - Beograd të jenë më të mira në të ardhmen”, - u shpreh Meta, duke shtuar se “unë mendoj se biseda që z. Meta ka zhvilluar me presidentin Tadiç dhe ministrin e Jashtëm Jeremiç është një garanci e mirë që ditë më të mira do të pasojnë. Ne po punojmë që të avancojë jeta e të gjithë njerëzve, veçanërisht për banorët e Preshevës, Bujanovcit dhe Metvegjes, në mënyrë që këta fëmijë të kenë një të ardhme më të ndritur; por jo siç ka ndodhur në të kaluarën. Unë gjithmonë u kam thënë kolegëve të mi të Luginës së Preshevës se ne nuk duhet të lejojmë që të rinjtë dhe fëmijët të mbahen peng nga e kaluara”.
PS dhe “Labëria”, kundër Petroliferës
Projekti për ndërtimin e Petroliferës në bregdetin e Vlorës ka sjellë sërish reagimin e përfaqësuesve të shoqatave dhe grupeve të interesit. Dje në kryeqytet, shoqata "Labëria" organizoi një takim me specialistë të ambientit për të njohur opinionin në lidhje me rreziqet që mbart ndërtimi i një projekti të tillë. Në takim ka qenë i pranishëm dhe deputeti i PS-së, Fatmir Toçi, i cili u shpreh se qeveria po ushqen urrejtje ndaj Vlorës. Debati për ndërtimin e projekteve të mëdha energjetike ka nisur në vitin 2005 me miratimin e qeverisë së socialistëve të një parku energjetik në gjirin e Vlorës. Të pranishmit në takimin e djeshëm janë ndalur në efektet negative që ka ndërtimi i Petroliferës për turizmin e zonës, të ardhmen e bregdetit, por edhe vetë jetën e banorëve. Në lidhje me këtë pikë, Toçi u shpreh se nëse do të ngrihet Petrolifera, nuk do të ketë asnjë vlonjat që do të banojë në Gjirin e Vlorës.
15 Mars 2010