Pranga në Tiranë të kërkuarit në SHBA për trafik makinash
TIRANE - Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane për trafikim mjetesh motorike, është arrestuar dje në Tiranë me qëllim ekstradimi drejt SHBA. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se është arrestuar nga policia e kryeqytetit, Françesk Pashku, i njohur në Amerikë si Fran Malocaj, 32 vjeç nga fshati Trush i Shkodrës. Sipas të njëjtave burimeve mësohet se i arrestuari është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet amerikane, pasi Gjykata e Floridas ka lëshuar për të një urdhër arresti ndërkombëtar. Zyra e shtypit e policisë shqiptare tha se shqiptari i arrestuar, akuzohet se në vitet 1997-1998 ka qenë i përfshirë në një grup që kryenin vjedhje dhe transport të automjeteve luksoze nga Nju Jorku drejt Jacksonville, të Floridas të SHBA, me qëllim rishitjen e tyre. Për këtë linjë trafiku mjetesh motorike autoritetet amerikane kanë nisur hetimet dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin shqiptar, Fran Malocaj që prej vitit 1998. Ai ndërkohë ishte larguar nga SHBA ndërsa zyra e Interpolit në Uashington bashkëpunoi me zyrën e Tiranës për gjurmimin dhe prangosjen e tij. Autoritetet amerikane janë informuar për arrestimin e tij dhe pritet që të nisin procedurat e ekstradimit. Mësohet se personat e tjetër me të cilët ai ka bashkëpunuar në Amerikë, tashmë ndodhen në burg. e.d