E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, letër Topallit për Ndërtimoren

 Aristir LumeziKryebashkiaku, Edi Rama, përmes një letre i kërkon kryetares së Parlamentit Topalli mosmiratimin e projektligjit për Inspektoratin e Ndërtimit. Rama në letrën e tij argumenton disa arsye pse ky projektligj ka papajtueshmëri ligjore dhe kushtetuese. “Ky projektligj, nis letra e kryebashkiakut, bie ndesh jo vetëm me parimet kushtetuese, por dhe me disa vendime të Gjykatës Kushtetuese si dhe me raportet e komisioneve të organeve të Këshillit të Evropës, duke sjellë regres të dukshëm në reformën e decentralizimit dhe duke cenuar rëndë autonominë vendore”, shprehet Rama. çështjet e kontrollit të territorit, argumenton kryebashkiaku i Tiranës, janë qartazi funksion dhe autonom i Pushtetit Vendor. Duke iu referuar Kushtetutës së Shqipërisë, një vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe Kartës së Evropiane të Autonomisë Vendore, Rama shprehet në letrën e tij se projektligji cenon parimet bazë, mbi të cilat ngrihet dhe funksionon Pushteti Vendor, si autonomia vendore, decentralizimi dhe subsidiariteti. Sipas interpretimit specifik të Gjykatës Kushtetuese, kryebashkiaku i Tiranës thekson se është gjykuar dhe është përcaktuar përfundimisht se kompetenca e kontrollit mbi territorin është kompetencë plotësisht e vendorëve. Për këtë konkluzion, Rama i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mbikalimin e Zogut të Zi të vitit 2006. Referuar Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, Rama argumenton se duke i dhënë Inspektoratit të Ndërtimit atribute vendore, tejkalohen standardet kushtetuese dhe krijohen premisa për konflikt të hapur kompetencash dhe pasiguri të qytetarëve në zbatimin e normës juridike. Sipas kreut të Bashkisë të Tiranës, qëllimi i këtij projektligji është centralizimi i pushtetit dhe lënia e pushtetit vendor në rolin e një “agjenti” të punëve shtetërore sesa një nivel subsidiar të organizimit të vetëqeverisjes së komuniteteve. Rama shprehet se me këtë projektligj, Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit i jepen atribute që i ka Pushteti Vendor, duke krijuar në këtë mënyrë premisa të hapura për konflikt kompetencash dhe pasiguri të qytetarëve në zbatimin e normës juridike. Por gjithashtu sipas tij, ky projektligj është dhe një kërcënim i hapur që do të ligjëronte arbitraritetin e abuzimit me pushtetin për qëllime të mirëfillta jo kushtetuese dhe jo ligjore. Në letrën e tij drejtuar kryeparlamentares, Rama sqaron se projektligji i qeverisë vjen në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës, i sanksionuar në Kushtetutën e vendit, sipas së cilit veprimtaria administrative i nënshtrohet kontrollit nga gjykatat. Por Rama shprehet se projektligji cenon gjithashtu dhe parimin e sigurisë juridike, e cila garanton besimin e qytetarëve te shteti dhe mos ndryshimi i ligjit. Një tjetër element i rëndësishëm, sipas kryebashkiakut, që cenohet në këtë projektligj, është dhe parimi i ndarjes së pushteteve, duke krijuar kapërcime të kompetencave të pushtetit gjyqësor në favor të atij ekzekutiv. Projektligji parashikon sipas Ramës, të drejtën e ekzekutimit të vendimeve nga Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit, pa marrë parasysh procesin e rregullt ligjor dhe gjyqësor. Në fund të letrës drejtuar Kuvendit, Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama argumenton se qeveria me propozimet e saj për fuqizimin e Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit nuk është konsultuar me njësitë vendore, sikundër parashikojnë normat kushtetuese dhe marrëveshjet ndërkombëtare. “Bazuar në normat kushtetuese dhe marrëveshjet ndërkombëtare në fuqi, ju kujtoj se bashkësive vendore duhet t’u kërkohet mendimi brenda mundësive në kohën e duhur dhe në mënyrë të përshtatshme gjatë proceseve të planifikimit e marrjes së vendimeve për të gjitha çështjet që u përkasin drejtpërsëdrejti. Për këtë çështje nuk është marrë një mendim i njësive vendore”, shprehet kryebashkiaku i Tiranës në letrën drejtuar Jozefina Topallit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›