E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tajvani”, kreu i PS Ina Ramës: Të hetojë shpifjet e Berishës

 Kreu socialist, njëherazi kryetari i Bashkisë më të madhe në vend Edi Rama, i bën thirrje kryeprokurores Ina Rama për fillimin sa më të shpejtë të procedurave hetimore ndaj atyre që Rama i quan shpifje monstruoze të Kryeministrit Berisha në drejtim të tij. “I rikërkoj publikisht Prokurores së Përgjithshme, që hetimi për këtë shpifje dhe për të gjitha shpifjet e kallëzuara edhe publikisht të mos zvarriten, por të hetohet pa humbur kohë në radhë të parë për të mirën e publikut në këto kohë të vështira për vendin”, theksoi Rama gjatë një deklarate për shtyp, ndërsa nënvizoi se publikimi në media i fakteve për shitjen e truallit tek ish-parku “Rinia” vërtetuan sipas tij shpifjet e kryeministrit Berisha. Rama kujtoi se vendimi për shitjen e truallit te “Tajvani” është marrë nga Këshilli Bashkiak me votat e anëtarëve të të dy partive të mëdha, madje theksoi se ai vetë ishte shprehur kundër këtij vendimi. “Për truallin në fjalë ka vendosur me vota të të dy partive të mëdha Këshilli Bashkiak, pavarësisht nga mendimi im i kundërt shprehur edhe në debatin gjatë mbledhjes. Kujtoj se në atë kohë unë nuk kam qenë kryetar i Partisë Socialiste. Pra, në atë kohë çmimi i shitjes së truallit në fjalë, i quajtur sot çmim abuziv nga Berisha është miratuar në fakt nga Këshilli Bashkiak me votat vendimtare të përfaqësuesve të Berishës dhe në kundërshtim të hapur me propozimin tim për një vlerësim të posaçëm të atij trualli”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›