Drogë me postë, 21 vjet burg dy personave
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda mbylli shqyrtimin gjyqësor në ngarkim të England Mukës dhe Eduart Smailit, të akuzuar për trafikim narkotikësh në rrugë postare nga Argjentina në Shqipëri. Sipas verdiktit të togave të zeza të Krimeve të Rënda të dy të pandehurit u shpallën fajtorë dhe dënoi me 10 vjet e 6 muaj burg të pandehurin England Muka dhe 11 vjet burg të pandehurin Eduart Smaili. Një seancë më parë Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dënimin e të pandehurve me nga 12 vjet heqje lirie. Muka dhe Smaili akuzoheshin nga prokuroria si autorë të trafikimit të 560 gramëve kokainë nga Argjentina në Shqipëri. Arrestimi i tyre u mundësua në 26 shtator të vitit 2008 nga operacioni i koduar “Hasta la vista”, në momentin që ata do të merrnin në dorëzim pakon postare. Gjatë fazës së hetimeve u bë e ditur se pakoja ishte dërguar nga të pandehurit nga Buenos Aires, në një adresë me emër të rremë në Tiranë. Sinjalizimi për praninë e narkotikut në pakon e të pandehurve iu bë autoriteteve shqiptare nga prokuroria gjermane. Dosja në ngarkim të tyre mbërriti për gjykim në Gjykatën për Krimet e Rënda në janar të këtij viti. a.b