Beqja: “Kriza ekonomike, më 30 prill të protestojmë në bulevardin e Tiranës”
Eneida Jaçaj
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, vuri në dukje dje për të disatën herë krizën ekonomike shumëdimensionale që po përjeton vendi. Sipas tij dhe të dhënave zyrtare, në tremujorin e fundit të vitit 2009 ekonomia pati rritje negative me – 1.5 për qind, ndërsa eksportet në dy muajt e parë të vitit 2010 janë aq sa mesatarja e vitit 2008. Ndërkaq, duke shpalosur disa prej faktorëve që tregojnë krizën ekonomike, Beqja ka ftuar popullin e opozitës të protestojë më 30 prill në bulevardin e Tiranës.
Deklarata
“Sali Berisha iu rikthye përrallave bajate për mrekullinë ekonomike shqiptare. Në 2008-n Sali Berisha na pati folur për rritjen ekonomike dyshifrore që nuk ndodhi kurrë. Por dje, guvernatori i Bankës së Shqipërisë dha të dhëna të mjaftueshme për të provuar se në tremujorin e fundit të vitit 2009 ekonomia pati rritje negative me - 1.5%”, - u shpreh Beqja, duke shtuar: “Dje, Sali Berisha na foli për mrekullinë e eksporteve shqiptare. Por të dhënat zyrtare dëshmojnë se eksportet në dy muajt e parë të vitit 2010 janë aq sa mesatarja e vitit 2008. Pra nuk kemi bërë asgjë më shumë, por jemi kthyer aty ku ishim 1 vit e gjysmë më parë”. Deputeti Beqja bën të ditur se 5 milionë dollarë është vlerësimi gjysmak i dëmit ndaj familjeve të përmbytura nga qeveria “Berisha” në zonën e Nën-Shkodrës. Ai vijon se 8 milionë dollarë janë marrë kredi nga Banka Botërore për të rregulluar argjinaturat e dëmtuara nga përmbytja që shkaktoi qeveria e Sali Berishës dhe 20 milionë dollarë do të paguhen për gjyqin e humbur ndaj “General Electric”.
Të dhënat
Duke iu referuar të dhënave zyrtareve, në muajt e parë të këtij viti importi i makinerive dhe pajisjeve ka rënë me ¼, importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve ka rënë me 1/5, kredia konsumatore ka rënë, kreditë e këqija kanë arritur 11.5% të portofolit të kredive. “Një ministër i tij pranoi që shqiptarët janë vjedhur me faturat e energjisë elektrike, por deklaroi se do t’ua kthejë paratë vetëm nëse njerëzit ankohen. U premtua se janë 2 miliardë lekë për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, por shtesa e djeshme mjafton vetëm për të mbajtur ndezur një llambë 35 vat, ndërkohë që faturat janë dyfishuar”, - u shpreh Beqja, duke shtuar se “mrekullia ekonomike për të cilën flet Sali Berisha nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët. Është vetëm një familje, që gjatë 5 viteve të fundit ka ndjerë mrekullinë ekonomike, pasurimi i së cilës ka qenë realisht jo dyshifror, por shumëshifror, dhe kjo është familja e Sali Berishës, që është pasuruar nga korrupsioni i pushtetit. Sipas tij, në Shqipëri rritje dyshifrore kanë pësuar listat në dyqane, papunësia, varfëria, dëshpërimi, kriminaliteti, vetëvrasjet e plagët sociale. Beqja tha se “mrekullia ekonomike” që po jeton familja në pushtet nuk ka asnjë lidhje me realitetin e hidhur që jetojnë çdo ditë shqiptarët e shqiptaret. “Për shqiptarin e thjeshtë rritje dyshifrore ka pësuar vetëm kostoja e jetesës, çmimet e artikujve të përditshëm të konsumit ushqimor, çmimi i energjisë elektrike dhe i të gjitha shërbimeve shëndetësore”, - tha deputeti Beqja. Lidhur për këto arsye, Beqja tha se do të protestohet më 30 prill në protestën e madhe të opozitës. “Është kjo arsyeja pse gjatë muajit prill e më pas do të protestohet kudo, pasi arsyet e protestës janë kudo. Do të protestohet me forcë dhe vendosmëri kundër një pushteti që mban emrin Sali Berisha, që në fillim vodhi zgjedhjet, për t’u vjedhur pastaj shqiptarëve punësimin, të ardhurat, shpresën, dhe që tani pa pikën e turpit, gjen kurajën të tallet me shqiptarët”, - u shpreh Beqja.
Të dhëna zyrtare
1. Importi i makinerive dhe pajisjeve ka rënë me ¼
2. Importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve ka rënë me 1/5
3. Kredia konsumatore ka rënë
4. Kreditë e këqija kanë arritur 11.5% të portofolit të kredive
Premtimi
Kryeministri Sali Berisha premtoi gjatë fushatës elektorale se do të hapë 160 mijë vende të reja pune. Ndër pikat e programit qeveritar, Berisha cilësoi si përparësi edhe luftën kundër varfërisë. “Sot kemi mijëra familje të varfra, kemi 12% të popullsisë në varfëri. Qeveria ime do të veprojë me efikasitet për të nxjerrë nga mjerimi çdo shqiptar dhe çdo familje shqiptare. Shteti social do të veprojë duke ruajtur standardet e ekonomisë së tregut, ku ne do të luftojmë varfërinë”,- është shprehur Berisha gjatë fushatës.
9 Prill 2010