E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, Rama: “Më 30 prill, së bashku për të ndaluar rrënimin ekonomik”



Në protestën e zhvilluar në lagjen e ish-Kënetës në Durrës, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në fjalën e tij është ndalur te kriza ekonomike dhe te manipulimi i votave të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai theksoi se kutitë e votimit kanë brenda rrënjët e së keqes, të rrënimit ekonomik që ka pllakosur Shqipërinë. Në këtë protestë, mes qindra banorëve pjesëmarrës, Rama tha se që prej 28 qershorit qeveria jo vetëm nuk hapi kutitë, por nuk hapi as vende të reja pune, duke i zhytur shumë njerëz më shumë në varfëri dhe papunësi.
Rama
“Sot unë rikthehem këtu pas 5 vjetësh dhe shikoj jo vetëm të njëjtën varfëri, jo vetëm të njëjtën gjendje të papranueshme për një qytet që është i dyti për nga rëndësia në Shqipëri, që është pranë detit, që ka kaq shumë traditë dhe që ka kaq shumë njerëz të mirë. Në këto 5 vjet ju keni jetuar çdo ditë këtu, jeni gdhirë e jeni ngrysur çdo ditë këtu, me të njëjtat probleme, me të gjitha hallet, me të gjitha këto vështirësi. Të gjithë fëmijët e kësaj zone kanë humbur 5 vjet nga jeta e tyre, jo duke shkuar në shkollat që meritojnë, jo duke marrë edukimin që meritojnë, jo duke u përgatitur ashtu siç e meritojnë për të nesërmen, por duke mbetur pengje të një sistemi të korruptuar qeverisje, që nuk është në gjendje të na nxjerri nga varfëria”, - u shpreh Rama duke iu drejtuar banorëve. Më tej, Rama u ndal te kriza ekonomike, por që Berisha e cilëson “mrekullia ekonomike”. “Sali Berisha përsëriti se Shqipëria është vendi i një mrekullie ekonomike. Ndërkohë që mrekullinë ekonomike që ju e dëgjoni përditë nga goja e atij që është kryeministër me vendim gjykate, apo e atyre rreth tij, përmes televizionit, nuk e shihni asgjëkund rreth e rrotull vetes. Për më tepër në shtëpinë tuaj jo vetëm që nuk ka asnjë shenjë të mrekullisë ekonomike, por përkundrazi, ka përditë e më shumë shenja të rrënimit ekonomik”, - tha kreu i PS-së.
Protestat
Kreu i PS-së i ka ftuar qytetarët të marrin pjesë më 30 prill në protestën e madhe në bulevardin e Tiranës. “Ne duam demokraci, jo llumokraci! Ne duam të jetojmë në një Shqipëri shansesh dhe mundësish të barabarta për të gjithë, qoftë për ata që jetojnë në qendër të Tiranës, qoftë për ata që jetojnë në Kënetën e Durrësit, qoftë për ata që jetojnë në Veri apo në Jug, sepse të gjithë jemi qytetarë të barabartë, të të njëjtës republikë. Në qoftë se sot ky pushtet sjell në çdo shtëpi një faturë që rritet përditë, duke e kërkuar që të gjithë të paguajnë çmimin e papërgjegjshmërisë, çmimin e paaftësisë, çmimin e korrupsionit, këtë të gjithë së bashku ne duhet ta ndalojmë”, - theksoi Rama.
Duke iu drejtuar banorëve, Rama tha se sot nuk është qeveria që mban qytetarët, por janë qytetarët që mbajnë qeverinë përmes pagesës së pamerituar të të gjitha borxheve që kjo qeveri merr përditë thjesht dhe vetëm për të mbajtur një pushtet që është kundër interesave të qytetarëve. Nuk është një protestë për të larguar një qeveri dhe për të sjellë një qeveri tjetër. Është një protestë për të rrëzuar një sistem korrupsioni, i cili i ka rrënjët tek kutitë e votimit, aty ku përmes korrupsionit tjetërsohet vullneti i qytetarëve dhe aty ku pushteti fiton pavarësi nga qytetarët. “Në demokraci është pushteti që varet nga qytetarët, nuk janë qytetarët që varen nga pushteti, është pushteti që iu shërben qytetarëve. Në momentin kur kjo lidhje këputet me forcën e korrupsionit, aty ka lindur një kërcënim i madh për të gjithë. Aty ka filluar rruga e një qeverie të kthyer në një regjim, në një regjim që bën vetëm hyzmetin e interesave të atyre që jetojnë në oborrin e pushtetit dhe nuk do të dijë për ata që janë jashtë oborrit”, - tha Rama.

9 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›