E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza politike pengon procesin e liberalizimit të vizave



Eljona Ballhysa
Dy përfaqësuesit e lartë të Spanjës, shteti që mban aktualisht presidencën e radhës së Bashkimit Europian, kanë folur dje me tone të zbehta për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Kështu, ambasadori spanjoll në Shqipëri Manuel Montobio, gjatë një forumi të mbajtur dje në Vlorë, është shprehur se kriza aktuale politike ndikon në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Ai bëri thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje mes palëve, ndërsa theksoi se kapërcimi i kësaj situate do të ndikojë në proceset e tjera integruese të vendit. Po dje, ministri i Jashtëm spanjoll, Morantino, gjatë një vizite në Bosnjë u shpreh se liberalizimi i vizave për këtë shtet do të realizohet shumë shpejt, ndërkohë që Morantino nuk e përfshiu Shqipërinë në këtë proces. Ndërkohë që përflitej se Shqipëria dhe Bosnja do të përfitonin njëherësh nga procesi i liberalizimit të vizave.
Kriza
Ambasadori spanjoll Montobio, i pranishëm dje në forumin e Vlorës për dialog internacional, ka deklaruar se maxhoranca dhe opozita duhet të arrijnë në një marrëveshje për ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve. “Ajo që ka thënë Bashkimi Europian në çdo moment - dhe këtu janë edhe deklaratat e komisionerit Fyle - është pra që diferenca politike duhet të zgjidhet në Parlament. Këto diferenca duhet të çojnë në një marrëveshje ndërmjet palëve, që në këtë rast janë qeveria dhe opozita. Dhe që kjo marrëveshje duhet të çojë në krijimin e një komisioni parlamentar, mandati i të cilit të ketë rënë në një marrëveshje nga opozita dhe qeveria, kjo njëkohësisht bazuar në principin e transparencës dhe kushtetutshmërisë”, - është shprehur Montobio. Referuar liberalizimit të vizave, ambasadori Montobio është treguar edhe më i rezervuar, por insistimit të mediave, të cilat kanë shprehur shqetësimin për një liberalizim vizash të rriskuar, Montobio i është përgjigjur se ky proces është në varësi të zgjidhjes së krizës. “Mesazhi ynë është se ka procese të rëndësishme që janë vënë në lëvizje, që superimi dhe kalimi i kësaj situate është pozitiv për avancimin e këtyre proceseve”, - është shprehur Montobio.
Morantino
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Morantino, vendi i të cilit kryeson Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ka deklaruar se në qershor shpreson të shpallë lëvizjen e lirë për Bosnjën. Deklarata është bërë gjatë vizitës që Morantino po zhvillon në Sarajevë, ku kreu i Diplomacisë spanjolle, së bashku me sekretarin amerikan të Shtetit, James Steinberg, zhvilloi një vizitë zyrtare në kryeqytetin boshnjak. “Bashkimi Europian shpreson se do ta shpallë tërheqjen e regjimit të vizave për shtetasit e Bosnjës në muajin qershor”, - tha Miguel Angel Morantino, duke kërkuar nga liderët lokalë që ta vërtetojnë gatishmërinë për ndërmarrjen e reformave. “Me të vërtetë shpresoj se kur të kthehem në qershor, do të jem në gjendje që në emër të Bashkimit Europian të shpall formalisht se populli i Bosnjë-Hercegovinës mund të udhëtojë pa viza në të gjithë Bashkimin Europian”, - tha ai duke mos përmendur në asnjë moment liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Kjo për faktin se të dyja vendet e rajonit, Bosnja dhe Shqipëria, ishin parashikuar të kalonin në bllok për të marrë miratimin e BE-së për heqjen e regjimit të vizave.

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, nuk merr pjesë në Samitin e Pragës

Firmosja e Traktatit të Pragës ka mbledhur në kryeqytetin çek shumë vende ish-komuniste, ato që dikur bënin pjesë në bllokun ushtarak komunist, të quajtur Traktati i Varshavës. Aktualisht anëtarë të NATO-s, krerët e 11 vendeve ish-komuniste, janë të ftuarit e presidentit amerikan Barak Obama në një darkë. Të ftuar janë Bullgaria, Rumania, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Polonia, Estonia, Hungaria, Lituania, Letonia dhe Kroacia, që u pranua në Aleancë në të njëjtën ditë me Shqipërinë, e cila mungon në këtë tryezë. Mungesën e Shqipërisë në darkën e presidentit amerikan, Ambasada Amerikane, përmes zëdhënësit të saj, e komentoi duke thënë se “ne e vlerësojmë aleancën tonë me Shqipërinë dhe mbështetëm hyrjen e saj në NATO”. Megjithatë, fokusi i darkës së presidentit Obama është fokusuar mbi Europën Qendrore dhe Lindore. Të njëjtën linjë ka mbajtur edhe Ministria e Jashtme. I pyetur për këtë çështje, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi se Shqipëria nuk ka lidhje me këtë zhvillim. “Mund t’ju them se çdo gjë ka të bëjë me kontekstin e asaj që do të realizohet atje dhe, njëkohësisht, ka të bëjë edhe me historinë, me të kaluarën, ku Shqipëria praktikisht nuk ka lidhje me kontekstin e asaj që do të realizohet atje. Dua t’ju siguroj se marrëdhëniet e Shqipërisë edhe nga vizita ime e fundit në Uashington, janë marrëdhënie të shkëlqyera, se Shqipëria është një nga aleatet më të besueshme të SHBA-ve dhe të NATO-s në rajonin e Europës Juglindore”, - është shprehur Meta. Por marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të së fundi nuk duken shumë të mira. Kjo për faktin se qeveria “Berisha” refuzoi në fillim të marrë në konsideratë sugjerimet e ambasadorit amerikan në Tiranë, Withers për tërheqjen e ligjit për Shërbimin Informativ Kombëtar. U desh ndërhyrja e lartë e NATO-s që qeveria ta tërhiqte nga axhenta miratimin e këtij ligji deri në marrjen e konsulencës së ndërkombëtarëve dhe veçanërisht të SHBA-ve.

Meta garanton liberalizimin e vizave brenda vitit, Berisha premtoi brenda 6 muajve të parë

“Shqipëria do të përfitojë brenda këtij viti nga liberalizimi i regjimit të vizave”. Kështu u është kundërpërgjigjur zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, Ilir Meta, zërave se Bosnjë-Hercegovina do të përfitojë nga lëvizja e lirë para Shqipërisë. Në një deklaratë për shtyp me koordinatorin e qeverisë së Kosovës për Veriun e vendit, shefi i Diplomacisë shqiptare Meta ka theksuar se vendi i ka plotësuar kërkesat e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Sipas ministrit të Jashtëm, liberalizimi i vizave për shqiptarët do të bëhet i mundur brenda vitit 2010. Ndërkaq, kryeministri Berisha, gjatë fushatës zgjedhore premtoi se vizat do të hiqen brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti. Por duket se ky premtim nuk do të mbahet, pasi zërat nga forumet ndërkombëtare vënë theksin në domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës politike, e cila duket se pengon përfitimin e shqiptarëve nga vendimi për heqjen e regjimit të vizave për dy vendet e fundit të rajonit të Ballkanit.

Ministri i Jashtëm italian Fratini do të vizitojë Tiranën më 12 prill

Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, do të vizitojë Tiranën më 12 prill. Në vizitën e tij në Tiranë diplomati italian do të takohet në orën 10:30 me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm Ilir Meta dhe më pas të dy diplomatët do të japin një konferencë për shtyp. Zëvendëskryeministri Meta dhe ministri i Jashtëm Fratini do të nënshkruajnë protokollin e bashkëpunimit dhe zhvillimit. Gjithashtu, ministri i Jashtëm italian do të takohet me kryeministrin Sali Berisha dhe me presidentin Bamir Topi.

9 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›