Beqja: “Kryeministri Berisha dhe guvernatori Fullani mashtrojnë për rritjen ekonomike”
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, e ka akuzuar qeverinë se ka gënjyer për raportin e Drejtorisë së Përgjithshme për Çështjet Ekonomike dhe Financiare të Komisionit Europian se Shqipëria është ndër 10 vendet më të mira në Europë për nga ekonomia. Sipas tij, gënjeshtrat e përsëritura të kryeministrit Sali Berisha dhe të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, janë të rrezikshme për ekonominë e vendit.
“Sali Berisha ka hyrë në garë me gënjeshtrën. Gënjeu për borxhin publik. Gënjeu për numrin e njerëzve që përfitojnë nga rritja e pagave dhe pensioneve. Gënjeu për pagën mesatare prej 500 dollarësh. Gënjeu për përgjegjësinë e rritjes së taksave të reklamës”, - tha Beqja. Ndërkaq, Beqja tha se edhe klima e biznesit vazhdon të përkeqësohet. “Çdo biznes që nuk i përket familjes politike e biologjike të Sali Berishës gjobitet e kërcënohet me mbyllje”, - tha Beqja. Ai tha se Ministria e Financave raporton se në dy vitet e fundit gjobat janë rritur 2–3 herë, taksa e ryshfetit është rritur 220% që nga viti 2005, ndërsa 6 ligjet tatimore bazë janë ndryshuar 54 herë në nga dhjetori 2005. “Gënjeshtrat e kryeministrit, të ministrit të Financave apo të guvernatorit nuk mund të jenë shkopi magjik që zgjidh krizën ekonomike”, - u shpreh deputeti Beqja.
22 Qershor 2010