Cako: “Ministria e Financave të rillogaritë pensionet e ushtarakëve”
Flet dr. Kujtim Cako, kryetar i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve
(Vijon nga numri i kaluar)
Ushtarakët i kërkojnë Ministrisë së Financave që të bëjë rillogaritjen e pensioneve të parakohshme dhe atyre të pleqërisë. Kërkesa është bërë nga kreu i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, (AKUSH) dr. Kujtim Cako, i cili, gjatë një interviste për gazetën “Albania” ka kërkuar korrektimin e skemës së përdorur deri tani nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Do të përdorim të gjitha shkallët e Gjyqësorit, përfshirë edhe gjykatat jashtë vendit, përfshirë edhe institucione dhe organizata ndërkombëtare për garantimin e së drejtës që u takon ushtarakëve”, - thotë Cako. Sipas tij, “loja juridike më e rrezikshme që mund të luhet për ushtarakët në pension është ‘loja e parashkrimit të së drejtës së fituar’ apo ribërja e dokumenteve për çdo ushtarak që rrezikon dhe i çon drejt humbjes së përkohshme”. Kreu i AKUSH-it thotë se ka ardhur koha që institucionet e sigurimeve të funksionojnë si në vendet Perëndimore dhe që duhet t’i jepet fund abuzimit me skemat e pensioneve.
Zoti Cako, qeveria thotë se po merren pensionet e ushtarakëve, por ju keni shkruar se shteti "po u grabit djersën ushtarakëve", pasi ata nuk paguhen sipas ligjit. Sa e deformuar është realisht skema e pensioneve për ish-ushtaraket apo për pensionet e parakohshme?
... Unë kam shkruar e kam thënë edhe në emisione televizive, publike dhe private, dhe jam i detyruar të përsëris diçka për aq kohë sa nuk gjen zbatim e drejta e fituar. Për këtë ne i jemi drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese që në parim u ka dhënë të drejtë ushtarakëve për pensionet. Është fakt negativ që për 2 dekada, të drejtat e ushtarakëve janë të nëpërkëmbura dhe të shfrytëzuar negativisht nga politika; është absurde që Parlamenti shqiptar, tempulli i demokracisë dhe ku politika, tërë krahët e saj, të votojnë pothuaj unanimisht pro zgjidhjes dhe trajtimit ligjor për ushtarakët, ndërsa kjo e drejtë ligjore shkelet nga ana e organeve ekzekutive. Kjo vjen si rezultat i miratimit të një tjetër ligji kontradiktor nga Kuvendi, me procedura të përshpejtuara, pa marrë mendimin e grupit të interesit, pa pyetur asnjë shoqatë ushtarake.
Në këtë lojë politiko-juridike vazhdohet të politizohet dhe nuk zbatohet asnjëherë statusi i miratuar i ushtarakut, deformohen të drejtat e fituara të ushtarakëve. Kjo shtresë sociale, me vendosjen e ekonomisë së tregut, të pronës private, nuk privatizoi asgjë, asnjë metër katror truall, asnjë letër me vlerë; nuk mori asnjë kualifikim tjetër nga shteti që të ushtronte një profesion të ri, por nuk mori as pensionin e merituar të tij.
Me këtë të ardhur minimale nuk arrin të përballojë aspak koston e jetesës, ilaçet dhe ndonjë shpenzim tjetër familjar, rritjen e çmimeve të artikujve të konsumit dhe nevojave më të domosdoshme të shërbimeve, të ashtuquajtur “artikujt e shportës“ apo deri edhe inflacionin e lekut. Pa ndërtuar minimumin jetik, të saktë dhe transparent, si një element social i rëndësishëm i shtetit tonë të së drejtës, nuk mund të ndërtohet as niveli minimal apo maksimal i pensionit në vendin tonë.
Ministri i Financave thotë se po përgatiten ndryshime në ligjin për trajtimin e ushtarakëve. A keni dijeni ju? A është marrë mendimi i grupeve të interesit? Nëse po, në çfarë drejtimi po bëhen këto ndryshime?
Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë është relativisht një shoqatë e re, por që ka bërë përpjekje të mëdha për të institucionalizuar marrëdhëniet me organet e Legjislativit, Ekzekutivit dhe të Gjyqësorit që të dëgjohet zëri i ushtarakut në pension, i këtij grup interesi.
Jemi palë ankimuese në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin Nr. 10142, datë 15.05.2009, por akoma nuk kemi asnjë informacion dhe asnjë draft të ri për diskutim apo tërheqjen e mendimit nga ana e shoqatës tonë.
Ju jeni shprehur se shteti i ka borxh çdo ushtaraku shuma që variojnë deri në 2.3 milionë lekë për shkak të llogaritjes së gabuar të skemës gjatë këtyre viteve. A do të vazhdojnë ushtarakët të kërkojnë sigurimet e prapambetura? Si do ta bëni të mundur? Çfarë po bën konkretisht Aleanca?
Në çdo proces gjyqësor, por akoma më tepër, është bindëse jo thjesht rillogaritja e pensionit të ushtarakut ku gjuha e matematikës është unikale në tërë botën, por vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, mjaft i argumentuar juridikisht. E them këtë se nëse kompetenca do të ishte e kësaj gjykate, vendimi unifikues do të ishte bërë dhe këtu merrte fund “odiseja e ushtarakëve“. Shoqata, në të ardhmen, edhe nëpërmjet institucioneve europiane si EUROMIL-i dhe organizata të tjera, do të bëjë sensibilizimin ndërkombëtar të problemit tonë dhe, ndoshta, edhe gjykimin në organe të këtij karakteri. Çudia vazhdon me një trajtim të padrejtë nga organet e sigurimeve shoqërore, me kufizimet e së drejtës së dhënë; “pensioni të jetë jo më shumë se 1-2 pensione minimale – bazë”. Kjo, edhe pse pranon formulën e llogaritjes së pensionit të parakohshëm të ushtarakut, e rrëzon, e injoron atë me llogaritje me kufizimet, “tavanet juridike-financiare”. Në vendet e Europës Perëndimore, anëtare të BE-së, për çdo qytetar ka një llogari personale me pagën bruto, kontributet e detyruara për pension, të derdhura dhe faturë analitike për çdo muaj, vjetërsi pune, me datë fillimi dhe mbarimi apo kohën e paaftësisë shëndetësore dhe të papunësisë që paguhen kontribute. Me një informacion transparent mbi të dhënat për tërë kohën e llogaritjes së pensionit, si vitet e shkollës, të punës apo shërbimit të papunësisë dhe të paaftësisë së paguar, çdo qytetari europian nuk i humbet asgjë, asnjë cent apo ditë llogaritje për pension në moshën ligjore, si për pension të parakohshëm apo pleqërie.
Që kjo shifër detyrimi të mos duket kaq “alarmante” për shtetin, do të thosha se nga një studim i përafërt, ky borxh varion nga 15 - 17000 euro për person, për tërë periudhën që ka lindur kjo e drejtë. Për të rritur saktësinë e studimit tonë kemi kërkuar të dhëna statistikore nga sigurimet shoqërore, por deri tani nuk na janë ofruar këto të dhëna. Loja juridike më rrezikshme që mund të luhet për ushtarakët në pension është “loja e parashkrimit të së drejtës së fituar” apo ribërja e dokumenteve për çdo ushtarak “që rrezikon dhe i çon drejt humbjes së përkohshme”.
Në Shqipëri ka disa shoqata ushtarakësh. Cili është mesazhi juaj për ta? Çfarë duhet të bëhet që ushtarakët të garantojnë të drejtat e tyre?
Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë (AKUSH) lindi si një nevojë dhe realitet i kohës për mbrojtjen më mirë të figurës morale e sociale të ushtarakut dhe për mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Mesazhi ynë, në raport dhe marrëdhënie me shoqatat e tjera të ushtarakëve, është ky: “Ushtarakë, pa asnjë dallim, të bashkuar, të koordinojmë përpjekjet dhe të kërkojmë të drejtat tona në të gjitha fushat morale, sociale dhe financiare”. AKUSH është një shoqatë me karakter gjithëpërfshirës, për të bashkuar të gjithë ushtarakët, pa asnjë dallim, për mbrojtjen më të mirë të figurës dhe dinjitetit të ushtarakut e të familjes së tij, të drejtave morale, sociale dhe ekonomiko-financiare. Vlen të theksohet se këtu përfshihet edhe një shtresë e veçantë dhe e nderuar: Ushtarakë të përndjekur politikë. Përpjekjet gjatë vitit 2009-2010 u kurorëzuan me sukses, me ushtrimin rolit koordinues, bashkërendues dhe bashkëpunues me misionin e shenjtë, ruajtjen e dinjitetit të ushtarakut dhe mbrojtjen e të drejtave ligjore të tyre. U bë e mundur lidhja me organizatën europiane të ushtarakëve “EUROMIL”. Në vendin tonë erdhi për vizitë edhe presidenti i kësaj organizate, z. E. Jacob. Këtu iu bë një ftesë shoqatës sonë që të marrë pjesë një delegacion i vogël në takimin e 102-të të Bordit të EUROMIL-it në Bruksel, ku do të diskutohet kandidatura e Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve për t’u bërë anëtare e kësaj organizate. Kjo bën të domosdoshme dhe të mundur mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve shqiptarë, advokatinë dhe ekspertizën ndërkombëtare.
Mesazhi ynë do të ishte, me besim te deklarimi i ministrit të Financave, zotit Bode, i pari anëtar i qeverisë shqiptare, që të prononcohet pozitivisht, juridikisht dhe profesionalisht; duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë institucional që qeveria dhe Ministria e Financave të programojnë dhënien e kësaj të drejte të fituar të ushtarakëve; të rillogaritin pensionet e tyre në përputhje me tërë kriteret ekonomike, shtrirjen e pagesës në kohë dhe me situatat konkrete financiare që vendi ynë kalon. Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë do të përdorë të gjitha mjetet demokratike, duke ofruar njëkohësisht bashkëpunim, ndihmë dhe oponencë të kualifikuar për zgjidhjen e këtij problemi jetik dhe mjaft të rëndësishëm për këtë grup social, i cili, në shumicën dërrmuese, nuk disponon asnjë burim tjetër jetese për vetë natyrën e veçantë të profesionit që kanë pasur të pazbatueshëm në sektorët të tjerë civilë.
Përgatiti: Albert Gjoka
22 Qershor 2010